Për herë të parë, Bashkimi Europian përmend drejtpërdrejt SPAK-un dhe shpreh shqetësim për “përpjekje të shtuara dhe shqetësuese” nga politikanë dhe zyrtarë, “përfshirë nivele të larta”, për të ushtruar ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë.

Në raport theksohet se Kuvendi dhe në veçanti qeveria duhet të përmbahen e të mos ndërhyjnë në institucionet e drejtësisë duke mos i lejuar që të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardet evropiane, veçanërisht ato të përcaktuara nga Komisioni i Venecias, lidhur me imunitetin.

Kjo pikë lidhet drejtpërdrejtë me imunitetin e ish zëvendës kryeministres dhe ish-ministres Belinda Balluku, pasi me forcën e kartonëve mazhoranca refuzoi heqjen e imunitetit çka i hapte rrugë arrestimit të saj, pas kërkesës së depozituar nga Prokuroria e Posaçme.

Në raport është ashpërsuar edhe gjuha për korrupsionin. Në draftin e shkurtit, korrupsioni konsiderohej “shqetësim serioz”. Në versionin e majit, ai quhet “shqetësim vendimtar”, një nga formulimet më të rënda që përdor zakonisht diplomacia europiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb