Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një intervistë për CBS News tha se negociatorët amerikanë dhe iranianë po i afrohen shumë arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare midis dy palëve .

Siç raportohet nga rrjeti amerikan, propozimi i fundit përfshin një plan për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, lirimin e disa prej aseteve iraniane që janë “të ngrira” në bankat e huaja, si dhe vazhdimin e negociatave në një fazë të mëvonshme.

Trump nuk pranoi të jepte detaje rreth përmbajtjes së marrëveshjes së mundshme, duke vënë në dukje megjithatë se “çdo ditë bëhet gjithnjë e më mirë” dhe se ai nuk mund të njoftojë asgjë para se të informojë më parë palën tjetër.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se çdo marrëveshje përfundimtare duhet ta parandalojë Iranin nga blerja e armëve bërthamore dhe se çështja e uraniumit të pasuruar duhet të “adresohet në mënyrë të kënaqshme”.

Megjithatë Trump theksoi: “Unë do të nënshkruaj vetëm një marrëveshje ku marrim gjithçka që duam”.

Burimet raportojnë se presidenti amerikan po shqyrton ende propozime alternative dhe nuk ka arritur në një vendim përfundimtar, ndërsa është në konsultime me këshilltarë dhe udhëheqës të vendeve të Gjirit, siç është Arabia Saudite.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: