Për analistin Mentor Kikia, Shqipëria duhet të rregullojë standardin e sigurisë rrugore për të shmangur humbjen e jetëve njerëzore nga aksidentet. Duke iu referuar aksidentit me pasojë vdekjen e një 7-vjeçari sot në Elbasan, Kikia tha se vendi ku ka ndodhur përplasja është një “zonë e kuqe” dhe me ngjarje po ashtu të rënda në të kaluarën.
“Zgjidhja duhet të vijë me forcimin e masave të sigurisë”, shtoi Kikia.
“Nëse sot dënohet autori si fajtor, pasnesër do të ndodhë aksidenti tjetër. Aty është një vend arene aksidentesh, mungojnë mbikalimet”, theksoi ai.
Mentor Kikia: E njoh vendin ku ka ndodhur aksidenti. Behet fjalë për një segment rrugor të rrezikshëm, ku rruga nacionale kalon përmes fshatit dhe në të dyja anët e saj ka biznese të vogla dhe njësi tregtare. Ajo rrugë është bërë shpesh terren i aksidenteve, ku numri më i madh i tyre përfundojnë me plagosje dhe dëmtime. Humbja e jetës së fëmijës sot është padyshim ngjarje e rëndë dhe raste të tilla duhet të shndërrohen jo thjesht në raste vajtimi dhe mallkimi për autorin e dyshuar Petri Bozo, por ndalimi për të kuptuar se çfarë mund të rregullohet për të ngritur standartin e sigurisë që njihen si zona të kuqe.
Krahas punës që duhet të bëjë ligji për të rregulluar shkallën e përgjegjësisë së drejtuesit të mjetit, do duhet të merren masa për të forcuae sigurinë rrugore. Nëse autori ka qenë fajtor, pasnesër do të ndodhë aksidenti tjetër sepse kjo rrugë ka qenë një arenë aksidentesh sepse aty mungon një mbikalim. Rrugët e reja çajnë përmes zonave të banuara duke shkëputur komunikim e familjes me tokën dhe biznesin. Do duhet të konsiderohen infrastrukturat dytësore për të shoqëruar çdo rrugë.
