Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale uron të gjithë fëmijët për një fëmijëri të lumtur, të sigurt dhe të mbrojtur, duke theksuar se në epokën digjitale mbrojtja e fëmijëve lidhet ngushtë edhe me mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.

Në kuadër të kësaj dite, Zyra e Komisionerit ka publikuar Udhëzuesin “Për mbrojtjen e të dhënave personale të të miturve”, një material informues dhe ndërgjegjësues i hartuar në zbatim të ligjit nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, me synim rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve, prindërve dhe institucioneve mbi rëndësinë e të dhënave të tyre dhe sigurisë në internet.

Në një realitet ku fëmijët përdorin çdo ditë rrjete sociale, aplikacione, lojëra elektronike dhe platforma të ndryshme online, ekspozimi ndaj rreziqeve digjitale është bërë gjithnjë e më i pranishëm. Shpërndarja e pakujdesshme e fotografive, publikimi i informacionit personal, komunikimi me persona të panjohur apo përdorimi i aplikacioneve të pasigurta mund të krijojnë pasoja afatgjata për privatësinë, sigurinë dhe mirëqenien e të miturve.

Pikërisht për këtë arsye, udhëzuesi synon të shërbejë si një instrument praktik dhe edukues për të ndihmuar të miturit të kuptojnë më mirë se çfarë janë të dhënat personale, si përdoren ato në mjedisin online dhe përse duhet të mbrohen.

Dokumenti trajton në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme të drejtat e të miturve si subjekte të të dhënave personale, duke shpjeguar të drejtën për informim, akses, korrigjim, fshirje, kufizim të përpunimit, si dhe të drejtën për t’u harruar. Gjithashtu, ai orienton fëmijët mbi mënyrën se si mund të kërkojnë ndihmë dhe të reagojnë në rastet e shpërndarjes së paautorizuar të të dhënave apo cenimit të privatësisë së tyre.

Në mënyrë konkrete, udhëzuesi ofron këshilla praktike për përdorimin e sigurt të internetit, si krijimi i fjalëkalimeve të forta, kontrolli i cilësimeve të privatësisë në rrjetet sociale, shmangia e ndarjes së informacionit personal me persona të panjohur, kujdesi ndaj lidhjeve apo aplikacioneve të pasigurta dhe rëndësia e të menduarit përpara publikimit të çdo fotografie apo informacioni në internet.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe rreziqeve që lidhen me bullizmin kibernetik, mashtrimet online, gjurmimin e aktiviteteve në internet dhe përdorimin e të dhënave personale për qëllime marketingu apo profilizimi. Përmes shembujve konkretë dhe gjuhës së përshtatur për moshën e tyre, udhëzuesi synon të krijojë një kulturë më të lartë ndërgjegjësimi dhe përgjegjshmërie tek të miturit gjatë përdorimit të teknologjisë.

Udhëzuesi evidenton gjithashtu rolin e rëndësishëm të prindërve, mësuesve dhe institucioneve arsimore në krijimin e një mjedisi më të sigurt digjital për fëmijët, duke nxitur komunikimin, mbështetjen dhe edukimin e vazhdueshëm mbi privatësinë dhe sigurinë online.

Në një kohë kur teknologjia është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme të fëmijëve, mbrojtja e të dhënave personale mbetet një element thelbësor për garantimin e dinjitetit, sigurisë dhe të drejtave të tyre themelore.

Zyra e Komisionerit mbetet e angazhuar në promovimin e një kulture të qëndrueshme të mbrojtjes së të dhënave personale dhe në ndërtimin e një interneti më të sigurt për fëmijët, përmes informimit, edukimit dhe bashkëpunimit me institucionet, shkollat, prindërit dhe vetë të miturit.

Udhëzuesi i plotë është publikuar në faqen zyrtare të institucionit dhe mund të aksesohet përmes këtij linku: https://idp.al/udhezuesi-per-mbrojtjen-e-te-dhenave-te-te-miturve/

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb