I ftuar në emisionin “Studio24”, Kolindo Vjerdha, aktivist nga organizata “Qëndresa Qytetare”, ka vënë në dukje paqëndrueshmërinë e deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe ka kujtuar se eksperiencat e kaluara me dialogun zyrtar kanë rezultuar të pasukseshme për shkak të thyerjes së premtimeve.
Sipas Vjerdhës, luhatjet e shpejta në komunikimin publik të kryeministrit tregojnë një mungesë serioziteti përballë njërës prej protestave më të mëdha qytetare të viteve të fundit.
“Kryeministri e ka ndryshuar tre herë në 24 orët e fundit qëndrimin e tij. Po të kujtojmë më pas protestat e tjera të organizuara, ajo që kemi parë është se kur është negociuar, janë vendosur disa pika, por sot asgjë nga ato nuk është zbatuar,” nënvizoi aktivisti i “Qëndresës Qytetare”.
Përballë insistimit të maxhorancës për të ulur palët në një tryezë, Vjerdha argumentoi se kauza nuk ka nevojë për negociata të mbyllura, pasi zëri i qytetarëve dhe argumentet shkencore janë thënë tashmë publikisht dhe në mënyrë të përsëritur.
“Dialogu është aty në shesh, mesazhet janë transmetuar, kërkesat janë të qarta, janë artikuluar nga ekspertë, aktivistë, etj. Janë aty për një kohë shumë të gjatë,” përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se topi është tashmë në fushën e qeverisë, e cila duhet thjesht të dëgjojë dhe të zbatojë kërkesat e qytetarëve për mbrojtjen e Zvërnecit.
