Është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare fizikani belg François Englert, fitues i Çmimit Nobel për Fizikë dhe një nga figurat më të rëndësishme të shkencës moderne. Lajmi u konfirmua nga Universiteti i Lirë i Brukselit (ULB), i cili njoftoi se ai ndërroi jetë më 18 qershor 2026 në Ukkel. Englert konsiderohet si një prej shkencëtarëve që hodhi themelet teorike për zbulimin e bozonit Higgs, grimca që shpjegon mekanizmin përmes të cilit materia fiton masë dhe që përbën një element kyç të Modelit Standard të fizikës së grimcave.
Në vitin 2013, ai u nderua me Çmimin Nobel për Fizikë së bashku me fizikantin britanik Peter Higgs, për punën e tyre teorike të publikuar në vitin 1964. Kjo teori mori konfirmim eksperimental në vitin 2012, kur bozonit Higgs u zbulua në laboratorin CERN në Zvicër.
Në reagimin e saj, Universiteti i Lirë i Brukselit e cilësoi Englert si një figurë të jashtëzakonshme të fizikës teorike, duke vlerësuar kontributin e tij të pazëvendësueshëm në zhvillimin e shkencës. I lindur më 6 nëntor 1932 në Bruksel, François Englert fillimisht studioi inxhinieri civile, por më pas iu përkushtua fizikës teorike, fushë në të cilën ndërtoi një karrierë të shquar ndërkombëtare. Së bashku me kolegun Robert Brout, ai zhvilloi mekanizmin e njohur si “Brout–Englert–Higgs”, që konsiderohet një nga arritjet më të mëdha shkencore të shekullit XX.
Pas marrjes së Çmimit Nobel, Englert theksonte shpesh se objektivi i punës së tij ishte “të kuptuarit racional të botës”, duke nënvizuar rëndësinë e kërkimit shkencor për zhvillimin e njerëzimit.
Jeta e tij u shënua edhe nga përvoja e Luftës së Dytë Botërore. Si pjesëtar i një familjeje hebreje në Belgjikë, ai u detyrua të fshihej për t’i shpëtuar persekutimit nazist. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shkencë dhe shoqëri, François Englert ishte nderuar gjithashtu me titullin fisnik “Baron” nga mbreti i Belgjikës, duke lënë pas një trashëgimi që do të mbetet e rëndësishme për brezat e ardhshëm të studiuesve.
