Irani ka mohuar raportimet se këtë javë do të zhvillohet një takim me Shtetet e Bashkuara në Katar, duke i cilësuar ato si të pasakta. Deklarata erdhi pasi disa media ndërkombëtare raportuan se përfaqësues të të dy vendeve do të takoheshin të martën në Doha për të diskutuar, mes të tjerash, menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit dhe uljen e tensioneve pas sulmeve të ndërsjella të fundjavës.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, deklaroi për televizionin shtetëror se “nuk është planifikuar asnjë takim i grupeve teknike të punës këtë javë”, duke theksuar se informacionet e publikuara në media janë të pasakta. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, Gharibabadi sqaroi se, megjithëse konsultimet me Katarin vijojnë normalisht, përfshirë edhe monitorimin e zbatimit të angazhimeve të Shteteve të Bashkuara, nuk mund të konfirmohet zhvillimi i bisedimeve teknike në Doha.
Ai shtoi se raundi i parë i këtyre bisedimeve do të zhvillohet vetëm pasi të plotësohen kushtet e nevojshme dhe të arrihet një marrëveshje për datën dhe vendin e takimit. Ndërkohë, sipas një raportimi të Reuters, një burim i njohur me procesin kishte bërë të ditur se ekipet teknike të Iranit dhe SHBA-së pritet të takohen në ditët në vijim për të diskutuar zbatimin e një marrëveshjeje të përkohshme pas tensioneve të fundit. Sipas të njëjtit burim, në rendin e ditës do të ishte edhe çështja e sigurisë dhe menaxhimit të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
