Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e plagosjes me armë zjarri të një 35-vjeçari në Pogradec, duke identifikuar katër autorët e dyshuar të ngjarjes, të cilët rezultojnë me precedentë penalë për krime kundër personit.
Policia ka shpallur në kërkim 40-vjeçarin Meardi Berberi dhe vëllain e Nikollës, 22-vjeçarin Edison Agolli. Meardi Berberi është një personazh në Pogradec me precedent të theksuar kriminal.
Sipas informacioneve, ai është dënuar për vepra të ndryshme si “armëmbajtje pa lejë”, “plagosje e rëndë me dashje”, “kanosje”, ndërsa është konsideruar si një nga organizatorët e sulmit në Volorekë në vitin 2020.
Lidhur me rrethanat e ngjarjes, mësohet se autori Nikolla Agolli dyshohet të ketë qenë në një mjet me të arrestuarin tjetër David Prifti dhe dy të shpallurit në kërkim, Meardi Berberi dhe Edison Agolli.
I plagosuri Brian Syzo ka qenë i parkuar në anë të rrugës së bashku me një shokun e tij (të dy me mjetet e tyre). Shoku i Brianit ka dalë nga makina e tij për të hipur në makinën e Brianit, ndërsa në këtë moment është afruar makina ku ndodhej autori me tre personat e tjerë. Autori ka thyer xhamin e makinës së shokut të Brianit, dhe ky ka qenë momenti kur Brian Syzo ka dalë nga makina dhe më pas u qëllua nga Nikolla disa herë.
Syzo u transportua drejt spitalit nga shoku i tij. Ai ka marrë dy plumba, nga një në secilën këmbë ndërsa aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve nga bluzat e bardha, të dyja këmbët i janë hedhur në allcci por ende nuk është vendosur se çfarë masa do të merren më tej pasi i është prekur një nga venat kryesore çka mund të rrezikojë amputim të gjymtyrës.
Pas plagosjes së Brianit, autori dhe tre bashkëpunëtorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja, duke lënë fillimisht mjetin e tyre në Qafë Thanë e më pas janë shpërndarë. Nikolla Agolli u kap disa minuta pas ngjarjes në një furgon në Prrenjas. Pas tij u kap edhe shtetasi tjetër David Prifti.
Qëllimi i autorit ka qenë vrasja e Syzos për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes të dyja palëve. Ngjarja është ende në hetim.
