Gent Progni, një nga protestuesit e liruar pas arrestimit gjatë protestave në Tiranë, ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes që parapriu arrestimin, duke ngritur edhe akuza për dhunë ndaj tij.
Në një deklaratë gjatë protestës, Progni pretendoi se ai dhe protestues të tjerë ndodheshin në një lokal kur pranë tyre kaloi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Sipas tij, ministri, pasi u afrua pranë kordonit të policisë, i ofendoi protestuesit, çka solli reagimin e tyre.
“Ishim ulur duke pirë një kafe. Pranë nesh ishte Ulsi Manja, por nuk e kishim parë. Ai u fut në kordonin e policisë dhe na shau. Nuk e duruam dot dhe e gjuajtëm me vezë,” deklaroi Progni.
Ai pretendoi më tej se, pas incidentit, është dhunuar nga truproja e ministrit.
“Bodyguardi i tij kërceu nga dritarja dhe, në prani të shefit të komisariatit, më goditi vazhdimisht. Unë vetëm qeshja dhe i thosha: ‘Çfarë po bën, ne vetëm me vezë të gjuajtëm’,” u shpreh ai.
Progni shtoi gjithashtu se atij dhe protestuesve të tjerë nuk iu lejua të bënin kallëzim për dhunën e pretenduar.
“Na thanë se do të liroheshim kur të na iknin shenjat,” pretendoi ai.
Pretendimet e Gent Prognit nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur dhe deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë apo Policia e Shtetit lidhur me këto akuza.
