Një prej dëshmitareve të ngjarjes së rëndë në Korçë, Kozeta Shakla, ka rrëfyer momentet e para pasi u qëllua për vdekje 20-vjeçari Johan Zuko. Ajo tregon se ndodhej në banesë me nënën e saj kur dëgjoi një zhurmë të fortë. Fillimisht mendoi se dikush mund të kishte rënë në shkallë dhe doli për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Unë isha brenda në shtëpi. Për një moment dëgjova një zhurmë të madhe, sikur plasi diçka. I thashë mamit se do dal të shikoj çfarë po bëhet. Thashë mos ra ndonjë njeri nga shkallët, që t’i ndihmoja”, rrëfen dëshmitarja. Sapo doli nga banesa, ajo dëgjoi një grua që kërkonte ndihmë dhe njoftimin e Policisë e ambulancës.

“Ajo gruaja e katit të tretë, te dera e saj ishte bërë ngjarja, thërriste me të madhe: ‘Aman, të lutem, lajmëroni policinë, ambulancën’. Ngjitem me vrap dhe shikoj një njeri të shtrirë përtokë, barkas”, tregon Shakla. Dëshmitarja thotë se në momentin kur iu afrua të riut, pa se ai ishte i gjakosur rëndë.

“Pashë djalin aty, njeri dy metra, djalë të shtrirë poshtë, të gjakosur. Pastaj i rridhte gjaku nga koka. Ishte tmerr”, shprehet ajo. Shakla tregon se menjëherë ka telefonuar ambulancën, ndërsa më pas ka mbërritur edhe Policia.

“Nuk e mblidhnim dot veten fare. Zbrita me vrap se më pyesnin nga ambulanca ku e kishit vendin. Pastaj erdhi policia dhe ikëm me ata”, rrëfen ajo. Dëshmitarja thekson se viktima nuk ishte banor i pallatit dhe se nuk e kishte parë më parë.

“Nuk e njohim fare. Nuk është i pallatit tonë. Nuk e di as ku banon. Thjesht e pashë aty”, thotë ajo. Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, veçanërisht për shkak se bëhet fjalë për një pallat ku jetojnë familje dhe ku fëmijët luajnë çdo ditë. “Ne këtu na luajnë fëmijët përditë. Është një tronditje e madhe. Është tmerr i Zotit”, shprehet dëshmitarja. Ajo thotë se pamja e të riut të shtrirë dhe të gjakosur në shkallët e pallatit është një moment që nuk mund ta harrojë. “Nuk e harroj dot. Nuk e preka me dorë, nuk e preka me dorë”, përfundon ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: