Një skenë prekëse është regjistruar në Cali të Kolumbisë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4, ku një çift u gjet i pajetë nën rrënojat e banesës së tyre, i përqafuar, së bashku me njërën prej vajzave të tyre trinjakë.

Jairo Hernán Saavedra dhe Victoria Caicedo humbën jetën pas shembjes së ndërtesës ku jetonin me tre vajzat e tyre, Ana Maria, Sofia dhe Isabella.

Ekipet e shpëtimit nisën menjëherë kërkimet për familjarët. Pas një dite operacionesh, njëra prej vajzave u gjet e gjallë, por me dëmtime të shumta trupore. Ajo u transportua në spital, ku arriti të kontaktonte familjarët dhe t’u konfirmonte se kishte mbijetuar.


Në orët e para të 12 gushtit, ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën trupat e Jairo dhe Victoria. Pak më vonë u konfirmua edhe vdekja e vajzës së tyre, Sofia Saavedra Caicedo.

Sipas një mikeshe të familjes, prindërit u gjetën të përqafuar nën rrënoja, në një moment që ka tronditur të afërmit dhe miqtë e tyre. Ndërkohë, vajza e tretë, Isabella, vijon të jetë e zhdukur. Ekipet e shpëtimit po punojnë mes strukturave të shembura dhe pllakave të betonit, në përpjekje për ta gjetur.

Një ditë para tragjedisë

Nje mik i Jairo Saavedra ka ndarë në rrjetet sociale momente nga orët para tërmetit. Ai tregoi se kishte kaluar kohë me Jairo vetëm disa orë para tragjedisë.

Sipas tij, Jairo, i apasionuar pas muzikës salsa, i kishte kërkuar të vendoste një prej këngëve të tij të preferuara, “Siempre Alegre”. Në një video të filmuar më 9 gusht, një ditë para tërmetit, Jairo shfaqet së bashku me bashkëshorten e tij duke kërcyer dhe festuar me miqtë. Momente që sot kanë marrë një tjetër kuptim, ndërsa familjarët presin ende lajme për vajzën e zhdukur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: