Para godinës së Kryeministrisë kanë nisur fjalimet e radhës nga aktivistët dhe qytetarët e mbledhur në protestë. Gjatë fjalës së tij, një prej aktivistëve i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se përpjekjet e tij për të përçarë protestuesit janë të kota.
Aktivisti u ndal te reagimet dhe publikimet e fundit të kryeministrit, duke theksuar se qëllimi i protestës mbetet i palëkundur:
«Edi Rama nxori ushtarët e tij për të akuzuar edhe vëllain e tij shpirtëror dhe ne qeshëm sepse për të qeshur ishte ajo situatë. Javën e fundit ka filluar ta riservirë këtë vëlla që e sjell sa herë mbetet pa mbështetje dhe po na nxjerr foto e shpifje. Ai nuk kupton një gjë, që në këtë shesh jemi për Shqipërinë dhe askujt nuk ia ndjen për këdo që ai sjell këtu për të shitur copa të vendit dhe nuk ia ndjen për pazaret e tij. Ne kemi vendosur ta shporrim atë dhe këdo ai sjell për të shitur Shqipërinë.»
Më tej, ai nënvizoi nevojën për një ndryshim rrënjësor politik në vend dhe vendosmërinë e turmës për të mos u larguar nga sheshi:
«Ne jemi këtu se duam një Shqipëri të re dhe të denjë për fëmijët tanë dhe këtë Shqipëri të re do e bëjmë, pa klikën politike të këtyre 35 viteve. Ne do rrëzojmë diktaturën e parasë së pistë dhe do ndërtojmë një Shqipëri që t’i say me ballin lart: ‘Shqipëri të Duam!’.»
“T’i ndalojë tentativat për të përçarë këtë shesh sepse bën çmos për ta bërë, por e ka kot. Këta njerëz të mrekullueshëm këtu nuk ndahen dhe nuk ikin prej këtu deri sa ti të largohesh”, përmbylli aktivisti fjalën e tij para protestuesve.
