Tirana, Partizani dhe Laçi kanë provuar katër herë të përballen me skuadra norvegjeze në Europë, por asnjëra nuk ka mundur të kalojë turin. Bilanci me 6 humbje, 2 barazime dhe 20 gola të pësuar.
Historia e përballjeve mes klubeve shqiptare dhe atyre norvegjeze në Europë nuk është aspak në favorin e skuadrave kuqezi. Në katër raste, Tirana, Partizani dhe Laçi janë përballur me ekipe nga Norvegjia, por në tetë ndeshje të zhvilluara nuk kanë regjistruar asnjë fitore. Bilanci është i qartë me 6 humbje dhe 2 barazime, ndërsa golaverazhi është 20-3 në favor të skuadrave norvegjeze. Në të katërta rastet, ekipet shqiptare janë eliminuar.
Tirana, dy përballje dhe dy eliminime
Përballja e parë në këtë histori është ajo e sezonit 2009/10, kur Tirana u përball me Stabaek në turin e dytë të Champions League. “Bardheblutë” morën një barazim 1-1 në ndeshjen e parë, por gjithçka u vendos në Norvegji. Stabaek fitoi 4-0 dhe Tirana u eliminua. Tre vite më vonë, Tirana u përball sërish me një skuadër norvegjeze. Në turin e dytë të Europa League, kundërshtar ishte Aalesunds. Edhe këtë herë ndeshja e parë në Shqipëri përfundoi 1-1. Por skenari u përsërit. Në ndeshjen e kthimit, Aalesunds nuk la shumë hapësira për diskutim dhe fitoi 5-0. Në dy përballjet me norvegjezët, Tirana kishte marrë dy barazime në shtëpi, por kishte pësuar humbje të rënda në transfertë.
Partizani, humbje në të dyja ndeshjet
Në sezonin 2015/16 ishte Partizani ai që u përball me një ekip norvegjez. Të kuqtë luajtën ndaj Stromsgodset në turin e parë të Europa League. Stromsgodset fitoi 3-1 ndeshjen e parë dhe e mbylli kualifikimin në sfidën e kthimit, duke triumfuar 1-0. Partizani u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 4-1.
Laçi nuk shënoi ndaj Moldes së Haland
Përballja më e fundit është ajo mes Laçit dhe Molde në sezonin 2018/19, në turin e dytë të Europa League. Kurbinasit u mundën 3-0 në Norvegji ku golin e parë e shënoi Erling Haland dhe shpresat për një përmbysje mbetën të vogla. Në ndeshjen e kthimit, Molde fitoi sërish, këtë herë 2-0, duke e mbyllur duelin me rezultatin e përgjithshëm 5-0. 8 ndeshje, asnjë fitore
Në total, historia është e ftohtë për klubet shqiptare. 4 përballje, 8 ndeshje, 0 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje. Norvegjezët kanë shënuar 20 gola, ndërsa skuadrat shqiptare vetëm 3. Për më tepër, në asnjërën prej katër përballjeve një klub shqiptar nuk ka arritur të kalojë turin. Tashmë, përballja e re me një klub norvegjez do të jetë edhe një mundësi për të ndryshuar këtë histori. Nga 2009- a deri në 2018-ën, bilanci ka qenë i njëanshëm. Tetë ndeshje pa fitore dhe katër eliminime radhazi. Në dorë e ka Egnatia ndaj Lilestromit…
