Gjatë fjalës së mbajtur përpara godinës së Kryeministrisë, aktivisti Edison Lika deklaroi se lëvizja qytetare po bën histori dhe se protestuesit mbeten po aq të revoltuar sa ditën e parë, të vendosur për të mos u larguar nga sheshi pa u plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.

Lika theksoi se kërkesa themelore nga dita e parë e qëndresës mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama. Ai nënvizoi se çdo ditë që kalon përbën një ditë më shumë protestë për qytetarët dhe një ditë më pak qeverisje për pushtetin, duke deklaruar se numërimi mbrapsht për largimin e tij tashmë ka filluar.

Aktivisti hodhi poshtë edhe akuzat e artikuluara ndaj protestuesve, duke sqaruar se sheshi nuk është peng i asnjë force politike apo figure, por është ngritur kundër të gjithë atyre që kanë punuar kundër Shqipërisë.

Më tej, aktivisti i drejtoi një mesazh të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Lika u shpreh se nëse institucionet e drejtësisë deklarojnë se nuk kanë aleatë për shkak të sulmeve politike nga pozita dhe opozita, aleatin e tyre kryesor e kanë te populli në shesh.

Ai i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë e të arrestojë kryeministrin, duke deklaruar se ai e ka vendin në burgun 313 dhe jo në krye të qeverisë. Duke u ndalur te paralajmërimet për zhvillimet e shtatorit, Lika nënvizoi se protestuesit nuk do të mjaftohen nëse Rama vendos të “lëshojë” Belinda Ballukun, por do të vijojnë qëndresën deri në dorëheqjen e të gjithë kabinetit qeveritar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb