Në protestë 83 kundër Ramës, aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni, ka deklaruar se do t’i dorëzojë SPAK-ut një dosje që, sipas tij, lidhet me mënyrën e funksionimit të sistemit të provimeve për patentat dhe tarifave të autoshkollave.

Gjatë protestës, Progni ngriti pretendime për një mekanizëm të dyshuar korrupsioni dhe tha se do t’ua vërë në dispozicion organeve të drejtësisë materialet që, sipas tij, përmbajnë emra, data, shifra dhe dokumente.

Ai e lidhi nisjen e historisë me shkurtin e vitit 2022, kur, sipas tij, SPAK kishte vendosur nën monitorim kamerat e sallave ku zhvilloheshin provimet për patentat në strukturat e DPSHTRR-së. Progni pretendoi se gjatë periudhës së monitorimit skema e kalimit të provimeve kundrejt ryshfetit ishte bllokuar.

Sipas tij, në atë periudhë në krye të DPSHTRR-së ishte Blendi Gonxhja, ndërsa disa javë më vonë u miratua Udhëzimi nr. 9, që sipas Prognu-t ndryshoi mënyrën e funksionimit të tarifave të autoshkollave.

Denoncimi i plotë i aktivistit, Gent Progni:

Ishalla nuk ju lodh sot, se kam një denoncim dhe do të jetë pak i gjatë, por shpresoj ta kuptoni dhe të kuptoni edhe pse jemi në këtë pikë.
E mbani mend kur Dumani tha: “Krime intelektuale nuk i kapim dot”? Po ju zbërthej unë, jo intelektualin, por një mekanizëm se si këta vjedhin. Sot do t’ju tregoj, me emra, data, shifra dhe dokumente, se si një mekanizëm që duhet të luftonte korrupsionin përfundoi duke krijuar kushte për ta zhvendosur dhe centralizuar atë.
Historia fillon në dy javët e fundit të shkurtit të vitit 2022. SPAK-u merr nën monitorim kamerat e sallave ku kursantët zhvillonin provimet e patentave në Drejtorinë Rajonale të DPSHTRR-së.
Rezultati ishte i menjëhershëm. Për dy javë, skema e kalimit kundrejt ryshfetit bllokohet. Jepet urdhër të mos bëhet asnjë shkelje, sepse kamerat po monitoroheshin nga SPAK-u.
Pra, u provua diçka shumë e rëndësishme: kur kishte kontroll real, mekanizmi nuk funksiononte dot si më parë. Në atë kohë, në krye të DPSHTRR-së ishte Blendi Gonxhja.
Vetëm pak javë më vonë, më 14 prill 2022, del Udhëzimi nr. 9. Pika vendimtare është neni 11, i cili përdoret për t’i dhënë DPSHTRR-së rol në mekanizmin e tarifave të autoshkollave. Më pas kemi një aktmarrëveshje mes DPSHTRR-së, Administratës Tatimore dhe përfaqësuesve të autoshkollave, që synonte vendosjen e një kostoje minimale, e cila e çonte patentën deri në 85 mijë lekë të reja.
Pse ishte kaq e rëndësishme kjo?
Sepse skema e vjetër e ryshfetit kishte shumë rreziqe. Kursanti paguante autoshkollën. Për kalimin e teorisë kërkoheshin para shtesë. Për praktikën kërkoheshin përsëri para. Paratë kalonin nëpër disa duar dhe provimi zhvillohej në ambiente me kamera, figurë dhe zë.

Në rastet e manipuluara, kursanti nuk e përfundonte testin në kompjuter. Pas përfundimit të monitorimit ndërhyhej për ta nxjerrë kalues. Kjo linte shumë gjurmë.
Kishte kursantin, pronarin e autoshkollës, komisionerin, kompjuterin, kamerat dhe, mbi të gjitha, kishte SPAK-un, që tashmë kishte treguar se mund ta monitoronte sistemin.
Me mekanizmin e ri, problemi zgjidhej ndryshe. Paratë nuk kishin pse të ndiqnin më të njëjtën rrugë të rrezikshme dhe çmimi dyfishohej, nga rreth 35 mijë lekë të reja që merrte autoshkolla. Pjesa e lidhur me kursin shkonte rreth 70 mijë lekë.
Sipas materialeve që do të dorëzojmë në SPAK, mekanizmi parashikonte që një pjesë prej rreth 20 mijë lekësh të reja për kursant të mblidhej përmes strukturës së autoshkollave.
Dhe këtu shifra bëhet marramendëse.
Vetë Gonxhja, që nuk çeli kurrë, ka folur publikisht për rreth 110 mijë kursantë në vit. Po e ulim, për t’i bërë nder, në 80 mijë. 80 mijë shumëzuar me 20 mijë lekë të reja janë 1.6 miliardë lekë të reja në vit, pra 16 miliardë lekë të vjetra.
Dhe kjo nuk prekte vetëm ata që kërkonin ta merrnin patentën me lekë, por prekte edhe ata që mësonin. Në këtë mekanizëm paguante edhe kursanti i ndershëm, ai që mësonte dhe e fitonte provimin me zotësinë e vet.
Në mars të vitit 2023, Autoriteti i Konkurrencës e rrëzon marrëveshjen për tarifat minimale, por kjo nuk e ndaloi anulimin e kësaj lëvizjeje administrative. Pra, sot është akoma në fuqi, por Blendi Gonxhja deklaronte publikisht se nuk do të tërhiqeshin.
Edhe këto deklarata janë pjesë e materialeve video që do t’i dorëzohen SPAK-ut.
Prandaj, kjo dosje nuk është thjesht për korrupsionin te patentat. Është për të kuptuar si u ndërtua mekanizmi, kush e projektoi, kush duhej të mblidhte paratë, kush përfitonte dhe ku do të përfundonin ato.
Sepse kur, pas monitorimit të SPAK-ut, një skemë ndryshon mënyrën se si funksionon, drejtësia nuk duhet të shohë vetëm sallën ku jepen provimet. Duhet të ndjekë sistemin, duhet të ndjekë njerëzit që e ndërtuan dhe, mbi të gjitha, duhet të ndjekë paratë.
Prandaj i bëjmë thirrje SPAK-ut, që s’ka pushime. Po presim dhe po presim gjatë.
Ndiq paratë.
Ka Blendi Gonxhja dhe ka një hall që komenton kaq shumë kundër protestës në rrjetet sociale.
Dorëhiqu! Dorëhiqu! Dorëhiqu!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb