Aktivisti dhe studenti Jurgen Shpërdhea, pjesëmarrës në protestat kundër qeverisë që prej ditës së parë, ka hedhur akuza për censurim në rrjetet sociale, pas mbylljes së një numri të madh faqesh dhe llogarish që raportonin mbi tubimet.
I ftuar në studion e News24 në një bisedë me gazetaren Nisida Tufa, Shpërdhea tha se bllokimi i mbi 200 faqeve aktive gjatë protestave nuk ishte një fenomen i rastësishëm, por sipas tij një veprim i koordinuar. Ai tregoi edhe përvojën personale me Instagramin, duke deklaruar se llogaria e tij u mbyll papritur dhe pa marrë njoftimin zyrtar për apelim që, sipas tij, zakonisht dërgohet nga platforma Meta.
“Isha duke punuar në ato momente dhe më nxori instagrami menjëherë nga llogaria. Tentova të futesha, por më kishin hequr direkt. Pa të drejtë apelimi, sikur e kisha bërë apelimin, por mu bllokua. Edhe një tjetër protestuesi i ndodhi e njëjta gjë, paralelisht dhe me persona të tjerë, aktivistë që merren me protestën, si Gent Progni, apo faqe të tilla denoncuese. Unë jam ekspert i fushës, kam mësuar se si funksionojnë bllokimet, apelimet. Në këtë rast nuk na erdhi as emaili i apelimit. Mënyra se si funksionin, për formën e drejtë, është që ty të vjen një report, më pas ke të drejtën për apelim për një post. Përveç një njoftimi që të vjen në instagram, të vjen dhe një email zyrtar nga Meta. Mua nuk më ka ardhur asgjë. Emaili i vetëm është fakti që më ishte hequr pagesa e tikut blu. Para se të niste protesta kam pasur një adresë private. Me fillimin e protestën, angazhimin tim aty, e kam ndjerë të nevojshme që të raportoja ngjarjet që ndodhin kundër sistemit. Tani e kam përdorur instagramin tim për të informuar për protestën. Këtë gjë e kam bërë dhe për rastin e protestuesve të tjerë. Nuk kemi publikuar materiale abuzuese, maksimumi kemi artikuluar fjalën; mosbindje civile.”, tha ai.
Aktivisti tha se edhe persona të tjerë të angazhuar në protestë, si dhe faqe denoncuese që publikonin pamje nga tubimet, janë përballur me të njëjtin problem. Sipas tij, në rastin e tij nuk është respektuar procedura normale e njoftimit dhe apelimit. Shpërdhea pretendon se nuk ka marrë asnjë email nga Meta lidhur me bllokimin e llogarisë, ndërsa i vetmi njoftim që ka marrë ka qenë për heqjen e pagesës së “tik-ut blu”.
Ai deklaroi se, pas nisjes së protestave, e kishte përdorur llogarinë e tij personale për të informuar publikun mbi zhvillimet dhe për të publikuar pamje nga protestat.
“Nuk kemi publikuar materiale abuzuese, maksimumi kemi artikuluar fjalën ‘mosbindje civile’”, tha aktivisti. Duke folur për zhvillimet e muajit shtator, Shpërdhea tha se protestat kanë nisur me intensitet dhe shprehu shqetësimin për reagimin e forcave të policisë ndaj protestuesve. Ai solli në vëmendje situatat kur protestuesit janë afruar pranë Kryeministrisë, duke ngritur pikëpyetje për përdorimin e pajisjeve mbrojtëse dhe shkopinjve të gomës nga efektivët.
“Ne jemi për përshkallëzim paqësor. Madje jam dhe për bojkot mësimor”, deklaroi ai, duke shtuar se pret një pjesëmarrje aktive edhe në ditën e 100-të të protestave. Sipas Shpërdheas, data 7 shtator dhe 12 shtatori, kur pritet mbërritja e autokolonës së Diasporës, mund të jenë dy momente të rëndësishme për vijimësinë e protestave.
