Kreu i PD Sali Berisha ka zhvilluar takimin e tij me shqiptarët e Amerikës, në New Jersey.

Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi SHBA-në si “vendin e të lirëve” dhe “shtëpinë e guximtarëve”, duke theksuar se besimi i tij te vlerat amerikane ka mbetur i palëkundur edhe gjatë periudhës kur, sipas tij, ishte jashtë pushtetit.

“Isha 8 vite pa asnjë pushtet. Por me besimin e palëkundur te SHBA, vlera mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh. Vend i të lirëve shtëpi e guximtarëve, i qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga SHBA, por nga agjenda anti-liri. Të asaj që Donald Trump e ka quajtur si ekstremi i majtë. E nisa këtë betejë në errësirë, por asnjë natë nuk zgjat dot pafundësisht. Kur nisa këtë betejë, populli i madh amerikan vendosi të zgjedhë Donald Trump, efektet erdhën deri në Shqipëri. Ata që na treguan barin, përfunduan të papunë…Ata që firmosën ndalimin tim sot janë non -grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri sot janë pas hekurave, ndërsa unë po qëndroj sot me dy këmbë në këtë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë”, tha ai.

Pjesë nga fjala e Berishës;

Për ne sot, kjo është një ditë jo e zakonshme. Sot është një ditë që për mua përsëri ngjall emocione.
Është një ditë që shumëkush e ka menduar të pamundur. E ka menduar si një ditë që nuk do ta shihnim ndonjëherë. Sepse, le të jemi të sinqertë, shumë prej nesh të paktën një herë ose më shumë kemi pyetur veten: kush jemi ne?
Kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi, kur ajo padrejtësi bëhet nga forca shumëfish më të mëdha se ne. Jo pak herë kemi pyetur veten këto vite, kush jemi ne, që zëri ynë i të drejtës të dëgjohet në një botë ku për fat të keq gjithmonë e më shumë po sundohet nga e padrejta.
Kush jemi ne që të qëndrojmë të fortë kur në momente të caktuara e gjithë bota dukej kundër nesh. Këto janë pyetje që vërtet të bëjnë të ndihesh i vogël në një botë të madhe.
Këto janë pyetje që të bëjnë të ndihesh i pafuqishëm përballë padrejtësive shumë të fuqishme. Por kjo pyetje, kush jemi ne, ka një përgjigje, e cila përjetësisht do jetë, do jetë burim i pashtershëm i fuqisë sonë për të bërë të pamundurën të mundur.
Ne jemi shqiptarë!
Sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë e luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë. Sepse ne jemi shqiptarë, luftojmë dhe qëndrojmë të vendosur për familjet tona.
Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe luftojmë në kushtet më të pabarabarta për kombin tonë, dinjitetin dhe lirinë e tij. Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe nuk dorëzohemi. Prandaj ditë si kjo, të pamundura ne i bëjmë të mundura. Zoti ju bekoftë!
Kjo ditë shënon pra një nga ato raste, forcë e të keqes që të gjithë e njohim në një agresion të padrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 vite më parë.
Në një kohë kur unë isha, 8 vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike. Por, me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin e palëkundur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh, vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve.
I qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga Shtetet e Bashkuara, por po vinte nga axhendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë.
Duke mbajtur në mend shprehjen e një prej burrave më të ndritur dhe legjendarë të kombit të madh amerikan, Abraham Lincoln, i cili thotë se ‘rëndësi nuk ka sa herë rrëzohesh, por sa herë ngrihesh’. Dhe unë, dhe unë vendosa të ringrihem. Vërtet e nisa këtë betejë në pamje të parë në pamundësi të plotë.
Në errësirë. Por asnjë natë, asnjë natë nuk zgjat dot pafundësisht. Në të njëjtën kohë që unë zhvillova këtë betejë, populli i madh amerikan vendosi të ringrihet duke zgjedhur si president Donald Trump në nëntor të vitit 2024.
Pak nga pak, bota e lirë filloi të ringrihet nga agresioni i ekstremit të majtë, dhe efektet erdhën deri në Shqipëri. Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë.
Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë.
Ndaj dhe unë sot, kam një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra, gra, djem dhe vajza, shqiptarë të vërtetë që më mbështetët në orët më të para por dhe ndër më të vështirat.
Mirënjohje të pakufishme ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, për vendimin e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: