Një festë fetare është kthyer në tragjedi në Meksikë, pasi një shpërthim i fuqishëm fishekzjarresh pranë një kishe ka shkaktuar të paktën 10 viktima dhe mbi 60 të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën në mbrëmje në komunitetin Santa Maria Cantada, në shtetin e Meksikës, gjatë festimeve për Ditën e Shenjtorëve Patronë.
Sipas autoriteteve, fishekzjarret i vunë flakën një ndërtese famullie që përdorej si depo për materialet piroteknike. Flakët më pas shkaktuan një shpërthim të fuqishëm, duke përhapur zjarrin në zonën ku po zhvilloheshin festimet.
Así fue la explosión de pirotecnia durante fiesta patronal en Santa María Canchesdá, municipio de Temascalcingo,Edomex; el saldo actualizado 9 personas murieron y 24 resultaron lesionadas. @IglesiaMexico consecuencias de los usos y costumbres de la perrada color cartón. pic.twitter.com/JI0L1GO5HU
— (Kizmar) (@antonioaranda_) September 6, 2026
Videot e publikuara nga mediat lokale tregojnë momentet e panikut, ndërsa dhjetëra persona ndodheshin në sheshin përpara kishës.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi gjatë një rituali tradicional me një strukturë në formën e “demit”, të ngarkuar me fishekzjarre. Banorët e kishin sjellë atë me një karrocë për ceremoninë festive.
Pas ndezjes së fishekzjarreve, flakët u përhapën dhe prekën materialet piroteknike të ruajtura në ndërtesën pranë kishës.
Shpërthimi shkaktoi kaos mes pjesëmarrësve. Njerëzit nisën të largoheshin me vrap nga sheshi, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit dhe për të vënë nën kontroll zjarrin.
Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të shpërthimit dhe nëse janë respektuar masat e sigurisë për ruajtjen dhe përdorimin e materialeve piroteknike.
Bilanci i viktimave mund të ndryshojë, ndërsa disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.
