Kryeministri Edi Rama u ndal te situata e krijuar në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt, duke e cilësuar “absurd” faktin që kryeqyteti vijon të drejtohet pa kryetarin e tij.
Në intervistën me gazetaren Rudina Xhunga, Rama tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e njeh Veliajn në detyrë, ndërsa paraburgimi e bën të pamundur ushtrimin e funksionit dhe, sipas tij, ka sjellë pasoja konkrete në funksionimin e bashkisë. “Bashkia nuk ka kokë”, u shpreh Rama, duke e quajtur situatën një “eksperiment social, politik e ekonomik”.
“Tirana është një shembull absurd. Ka 2 raste të ngjashme, njëri rast në Hungari dhe njëri në Turqi. Strasburgu i ka rrëzuar të dyja rastet si shkelje të të drejtave të njeriut. Që kryetari i zgjedhur i kryeqytetit të rrijë i mbyllur në paraburgim dhe t’i të mos kesh asnjë mundësi të bësh zëvendësim, sepse Kushtetuesja tha ‘është në detyrë’, ky është një absurd. Kryeqyteti po e vuan mungesën e drejtimit.
Unë e shoh në raportet me bashkinë sesa e pamundur është. Deputetët e Tiranës janë të frustruar në kulm. Unë s’jam dakord me Braçen sepse je në shumicë qeverisëse, por nga ana tjetër është se ato probleme që ngre janë probleme që lidhen me bashkinë. Bashkia nuk ka kokë. Është një eksperiment social politik e ekonomik ky që një kryeqytet të drejtohet pa kokë. Por mendoj se SPAK është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur Shqipërisë në këto 35 vite”, tha Rama.
