DHOMA NR. 9
10-mujorin e festuam në spital.
Në një situatë që, edhe sikur të më kërkonin ta krijoja si skenar filmi, nuk besoj se do të mund ta shkruaja me kaq shumë detaje mizore.
5 shtator. Nata e dytë. Dhoma nr. 9, Pediatria e Përgjithshme, QSUT.
E kisha në krah.
Digjej nga temperatura.
Frymëmarrja e saj dukej sikur lëshonte flakë. Sytë i kishte të mbushur me lot të nxehtë, rrathë të zinj poshtë tyre. Një dorë të shpuar e me gjak nga tentativa e dështuar për t’i vendosur vigonin. Vena të çara. Një tjetër vigon që nuk funksiononte më.
Dhe vetëm 10 muajshe.
Rreth nesh, një dhomë me tre krevate të sakatuar, dyshekë gunga-gunga, mobilie të shkatërruara, pllaka të vjetra, dritare të prishura. Vapë. Pa sistem ajrimi. Drita të zbehta.
Dhoma nr. 9.
Mes të qarave të fëmijëve, durimit të prindërve, tentativave të dështuara për vigon, temperaturës që shkonte në 40°C dhe orëve që kalonin.
Fundjavë.
Prindër që kërkonin vetëm dy gjëra: që fëmijët e tyre të shëroheshin dhe që dikush t’i trajtonte me kujdes e njerëzi.
Ndoshta ishte nata jonë e pafat por…kishte mungesë komunikimi. Mungesë korrektese. Mungesë profesionalizmi.
Vajza të reja, të cilat do të doja shumë t’i shihja të komunikueshme, të përgatitura dhe të përgjegjshme, jo të dëgjoja:
“Ça t’i bëj unë? Kështu di ta bëj unë punën”
Një mjeke e re në stazh që nesër do të jetë pediatre primare ngriti supet! “S’kam ç’bëj. Këta kam për staf.”
Por të dalim për pak nga dhoma nr. 9.
Vajzës sime 10-muajshe i plasën disa herë venat. Temperatura 39.7°C.
Ato shihnin njëra-tjetrën pa ditur çfarë të bënin.
Tentativa me shurup.
Supostë.
Venoze, por vena të bllokuara.
Temperatura vazhdonte të ngrihej.
Të qara. Nxehtësi. Ankth.
Dhe orët iknin.
Pesë orë.
Pesë orë që mua m’u dukën një jetë!
Përballë tyre ishte vajza ime e shtrirë, me lotët që i digjnin faqet. Përballë tyre ishim unë dhe im shoq, me gjithë shpresën tonë tek ato.
Tek mjekësia.
Tek stafi.
Tek njerëzit që, në atë moment, kishin në dorë gjënë më të shtrenjtë të jetës sonë.
Dhe ne vazhdonim t’u jepnim shanse. Një tjetër shans për më shumë kujdes. Një tjetër për më shumë komunikim. Një tjetër që diçka të ndryshontes dhe ato vajza thjesht të bënin detyrën.
Dola nga dhoma nr. 9.
Mora fëmijën në krah dhe, e dëshpëruar për të gjetur ndihmë, nisa të zbres shkallët e Pediatrisë.
Herë më dukeshin pesë shkallë.
Herë pesëqind.
Herë sikur nuk do të mbaronin kurrë.
Mbërrita në Urgjencën e Pediatrisë.
Radhë. Prindër me fëmijë në krah. Fëmijë të sfilitur. Prindër po aq të sfilitur. Të gjithë prisnin të njëjtën gjë: pak qetësi dhe ndihmë.
Kërkoja një infermiere.
Vetëm një infermiere.
“Ju lutem, më duhet një infermiere. Një vigon. Vajza ka temperaturë 40. Ka orë kështu. Më ndihmoni.”
Në një moment u shkërmoqa… Shpërtheva në lot.
“Është 10 muajshe. Ka rreth gjashtë orë me temperaturë të lartë. Më duhet vetëm dikush që t’i vendosë një vigon.”
Dhe drejt meje erdhi një uniformë e zbukuruar me figura fëmijësh.
Mendova: erdhi shpresa. Pastaj pashë fytyrën e saj. Një fytyrë që nuk besoj se do ta harroj edhe sikur ta ndesh mes një mijë njerëzve.
“Ça ka? Pse këtu gjete të vendosësh vigon? Ka infermierë plot pediatria. Boll punë kemi këtu”….
Po më përze nga urgjenca?
Me një bebe 10-muajshe që më digjet në krah?
Dhe pastaj dëgjova:
“Policia! Njoftoni policinë! Të marrin këtë vajzën se nuk po na lë të punojmë. Policia!”
Nuk do ta harroj kurrë sa të kem jetë atë fytyrë dhe atë komunikim.
Atë natë nuk kisha kohë. Kisha një fëmijë që digjej.
U kërkova falje prindërve që prisnin dhe hapa derën e mjekut.
Një derë që ruhej me fanatizëm, ndërsa jashtë saj prisnin prindër të dëshpëruar, por ende me shpresë.
Hyra duke qarë me dënesë:
“Më falni shumë që hyra kështu. Doktor, ju lutem. Vajza është me temperaturë 40. Ka orë. Më duhet një vigon. Ju lutem, më ndihmoni me një infermiere.”
Mora fillimisht një përgjigje të ftohtë. “Jam doktor”
Dhe pastaj erdhi një zë tjetër:
“Eja, xhan. Ja vendos unë një vigon. Eja, qetësohu. Ma jep mua vajzën.”
Nuk e harroj atë zë të infermiere Aldës dhe kolegut të saj Tanit.
Pas gjithë atyre orëve, dikush po më fliste si profesionist! Me humanizëm.
Dikush po i fliste edhe fëmijës tim me dashuri.
“Do të të shërojë gjyshi. E pabesueshme Tani ishte gjysh dhe punonte ende me fëmijët. Do të të bjerë temperatura dhe do flesh top.”
Nuk më pushonin lotët.
Këtë herë ishin edhe lot mirënjohjeje.
Dy infermierë u gjendën aty për beben time, të sfilitur nga temperatura e lartë.
Këmba e saj e vogël u shpua.
Dhe vigoni qëndroi.
Eksperienca ka vlerë.
Profesionalizmi ka vlerë.
Por edhe humanizmi ka vlerë.
Ndonjëherë një “eja xhan” i thënë në momentin kur një prind po shembet, vlen sa një botë e tërë.
Security kishte mbetur aty. Edhe ata të shtangur dhe të pafuqishëm për të vepruar përballë asaj skene.
Isha thjesht një nënë që kërkonte ndihmë për fëmijën e saj 10-muajsh me temperaturë të lartë.
U ktheva në dhomën nr. 9.
Beba ime më në fund fjeti.
Temperatura nisi të binte gradualisht.
Dhe unë, që për orë të tëra isha bërë bishë për të, u bëra përsëri e brishtë.
Lotët më rridhnin pa pushim. Më digjnin faqet. Më përvëlonin sytë.
Por mes gjithë asaj nate, një mendim më mundonte më shumë se të tjerët:
U mërzita me veten.
Sepse u dhashë shumë shanse. Dhe ndërsa prisja, më plasi zemra duke parë vajzën time të vuante.
Nuk po e shkruaj këtë për të sulmuar çdo mjek apo çdo infermier. Sepse pikërisht atë natë pashë edhe të kundërtën: njerëz që me profesionalizëm dhe me dy fjalë të ngrohta na kthyen shpresën. Shefja e shërbimit Dr.Numila dhe pediatrja Dr.Frida na treguan gjithashtu se si fëmija shërohet me fjalë dhe mjekim.
Po e shkruaj sepse fëmijët tanë meritojnë më mirë.
Prindërit që mbërrijnë në Pediatri me fëmijët në krah nuk kanë nevojë për arrogancë. Nuk kanë nevojë të poshtërohen.
Kanë nevojë për profesionistë.
Kanë nevojë për komunikim.
Kanë nevojë për përgjegjshmëri.
Kanë nevojë për njerëzillëk.
Sepse pas çdo dere të Pediatrisë është një fëmijë që vuan dhe një prind që do të jepte gjithçka vetëm që dhimbjen t’ia merrte vetë.
Për ne ishte dhoma nr. 9.
Aty “festuam” 10-mujorin.
Një 10-mujor që nuk do ta harroj kurrë.
Dhe kur vajza ime të jetë mjaftueshëm e madhe për ta kuptuar, do t’i tregoj se atë natë ishte vetëm 10 muajshe, por më mësoi edhe një herë se deri ku mund të shkojë një nënë kur fëmija i saj ka nevojë për të.
Dhoma nr. 9 do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time.
P.s: Emrat e infermiereve/mjekes që më shkaktuan gjithçka atë natë i kam rezervuar për të mos treguar se e gjitha kjo është një hakmarrje personale por një thirrje për të mësuar sa delikate dhe me përgjegjësi është puna që bëjnë!
