Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe u pezullua nga detyra, u emërua në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror në mars të vitit 2023. Kryeministri Edi Rama njoftoi më 17 mars 2023 se i kishte propozuar presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit, ish-zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për postin e drejtueses së SHISH.
“I paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.”, shkruante në atë kohë kryeministri, duke shprehur vlerësime për figurën e saj.
Para se të emërohej në krye të SHISH, ajo punoi për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti për arsye që nuk bëhen të ditura publikisht.
MASA E SPAK
Gazetarja Klodiana Lala raportoi ekskluzivisht për BalkanWeb se Hysen akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Ndërkohë gjatë kontrolleve të ushtruara nga SPAK në banesën e saj, Hyseni nuk u gjet. BalkanWeb mëson se Vlora Hyseni ndodhet në Baku të Azerbaxhanit, një një konferencë me 82 shefash shërbimesh Informative nga mbarë bota. Në një kohë kur GJKKO lëshoi këtë masë sigurie për numrin një të sigurisë së shtetit shqiptar, natyrshëm lind pyetja nëse është cënuar sigurua kombëtare?!
“Është rasti i parë që një zyrtare e lartë merr këtë masë sigurie. Teksa pretendohet se kreu i SHISH ka në dorë sekrete te shqiptarëve, ka përfunduar në një masë arresti. Nuk është e konfirmuar nëse i është komunikuar kjo masë sigurie apo jo. Është zyrtari i parë i lartë në këtë detyrë që përfundon në këtë akuzë nën dyshime nga SPAK.”, tha gazetarja Klodiana Lala.
Kujtojmë se SPAK mëngjesin e sotëm nisi një aksion blic, ndërsa ushtroi kontrolle në disa zyra dhe banesa të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, mes tyre ish-kreun e policisë Ilir Proda. Pas hekurave kanë rënë disa punonjës policie.
