Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe deputeti Tedi Blushi ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për të larguar Vlora Hysenin nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, pas masës së sigurisë të vendosur ndaj saj.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Blushi akuzon kryeministrin se po përdor dy standarde, duke e krahasuar qëndrimin ndaj Hysenit me atë ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK.
Sipas deputetit të Partisë së Lirisë, largimi i Hysenit nuk mjafton për të shmangur përgjegjësinë politike të kreut të qeverisë, pasi ishte Rama ai që e propozoi atë për drejtimin e SHISH.
“Peshku qelbet nga koka! Pa i prerë kokën, çdo ‘kokë turku’ është vetëm fasadë, për të shpëtuar kokën e Edi Ramës”, shkruan Blushi.
Ai ndalet më tej te rasti i Ballukut, duke pretenduar se kryeministri nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj saj, pavarësisht hetimeve dhe akuzave të ngritura nga SPAK.
“Sa i përket ‘standardit’ për ta ‘dorëzuar’ kryetaren delinkuente të SHISH në duart e drejtësisë, duhet të kishe vepruar edhe me Belinda Ballukun, por nuk e bëre”, vijon Blushi.
Sipas tij, diferenca mes dy rasteve tregon se vendimet e kryeministrit nuk lidhen me vendosjen e një standardi të njëjtë për zyrtarët që përballen me drejtësinë, por me interesin politik të Ramës.
“Dy standarde, një qëllim: Të shpëtohet koka e Ramës”, përfundon Tedi Blushi.
