Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë “Foltores së Ripërtëritjes” në qytetin e Vlorës, duke komentuar zhvillimet e fundit që kanë përfshirë drejtues dhe ish-drejtues të institucioneve të sigurisë, si dhe personazhe të dosjes së AKSHI-t.

Berisha u ndal fillimisht te drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe shkarkimin nga detyra në kuadër të një hetimi që lidhet me dosjen e AKSHI-t.
Kreu demokrat e cilësoi Hysenin si “ushtare të krimit të organizuar”, duke pretenduar se drejtuesja e shërbimit sekret kishte vënë në dispozicion të eksponentëve kriminalë mjete shtetërore të survejimit.

Më tej, ai foli edhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në banesën e të cilit BKH kreu kontrolle gjatë ditës së sotme me urdhër të GJKKO-së. Nga të dhënat e raportuara publikisht rezulton se Prodës i janë sekuestruar telefoni, një laptop dhe disa USB e CD, ndërsa SPAK nuk ka bërë ende publik rolin konkret që i atribuohet në hetim. Berisha, megjithatë, ngriti një pretendim tjetër, duke deklaruar se gjatë kontrollit është gjetur edhe një armë snajper.

Ai përmendi Belinda Ballukun, Vlora Hysenin, Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, duke pretenduar se veprimet për të cilat ata janë akuzuar apo po hetohen nuk janë ndërmarrë në mënyrë të pavarur, por me urdhër të kryeministrit.

“Kreu i SHISH është ushtare e shpifur e krimit të organizuar. I jepte krimit gjithë mjetet që bliheshin me taksat tuaj, për survejim. Ish drejtori I policisë që iu kontrollua banesa iu gjet super snbiper në banesë, I blerë për funksione të caktuara. Çdo gjë që keni dëgjuar e do dëgjoni për Ballukun, Hysenin, Beqirin, Agasin, në mënyrë absolute të gjitha janë bërë nën urdhrat e Ramës. Shqiptarët do të dëgjojnë shumë gjera të tjera. PD ka rolin të shpëtojë vendin”, tha mes të tjerash ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb