Në sheshin në Prishtinë është shfaqur video-mesazhi historik i Adem Jasharit. Në shesh ka jehuar thirrja për tri shkronjat e arta “UÇK”.

Për të shtatën natë radhazi, mijëra qytetarë u mbledhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, e cila dënoi me një total prej 81 vitesh burgim katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mesazhet “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër”, ndërsa në shesh janë valëvitur flamuj kombëtarë, të UÇK-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Protesta e mbrëmjes së sotme nisi me betimin e ushtarit të UÇK-së, të lexuar nga tenori dhe veterani i luftës, Rame Lahaj. Në fjalën e tij, Lahaj bëri thirrje për unitet dhe për ruajtjen e vlerave të lirisë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke iu bashkuar mesazheve të protestuesve për drejtësi dhe mbrojtjen e trashëgimisë së luftës çlirimtare.

Në fjalimin e tij, një prej organizatorëve, Çlirim Haziri, tha se protesta në mbështetje të UÇK-së ka hyrë në javën e dytë dhe se pjesëmarrësit nuk janë të lodhur dhe nuk do të tërhiqen.

Haziri e lidhi protestën edhe me 28-vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, duke deklaruar se shtatë ditë protestë janë pak përballë sakrificës së dëshmorëve.

Sipas tij, protesta nuk është e lidhur me partitë politike, por me një kauzë që protestuesit e konsiderojnë si mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe kundërshtim ndaj asaj që ata e cilësojnë si përpjekje për njollosjen e saj.

Haziri përmendi gjithashtu projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të dorëzuar në Kuvend, duke kërkuar që institucionet të japin përgjigje lidhur me këtë nismë.

Në përfundim të fjalimit, organizatori paralajmëroi se protestat do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme dhe u bëri thirrje qytetarëve të tjerë t’i bashkohen tubimeve.

“Jo në emrin tim!”, ishte një prej thirrjeve të përsëritura në shesh, ndërsa protesta u mbyll me thirrjet për lavdi dëshmorëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: