Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 përballë gazetares Ola Bruko, ka dhënë deklarata të forta lidhur me vendosjen në masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” të ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, pas zbardhjes së komunikimeve të saj me Ergys Agasin.
Balliu theksoi se situata në vend është e paprecedentë dhe se rënia e sigurisë kombëtare është tashmë një fakt i provuar nga zbërthimi i kartelit të lidhur me dosjen e AKSH-it.
“Situata në Shqipëri është e paprecedentë, siguria kombëtare e vendit praktikisht ka rënë. Fakti që shefja e SHISH është në masë arresti sot dhe e lidhur ngushtësisht me Ergys Agasin dhe kartelin Agasi-Rama në lidhje me dosjen kriminale të AKSHI-t, fakton atë që opozita ka faktuar se krimi është bërë pjesë e narkoshtetit,” u shpreh Balliu.
Në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit për Punët e Brendshme, Balliu zbuloi hapat zyrtarë institucionalë që ka ndërmarrë për të verifikuar kontaktet e drejtuesve të shërbimit sekret me personat e përfshirë në hetim.
Sipas tij, përgjigjja e SHISH-it ndodhet e depozituar në protokollin sekret të Kuvendit dhe duhet të tërhiqet menjëhatë nga organet e ligjzbatimit si provë hetimore.
“Në cilësinë e nënkryetarit të Punëve të Brendshme i kam dërguar një letër zyrtare SHISH-it ku kam kërkuar në mënyrë specifike nëse Vlora Hyseni apo ndonjë drejtor e përfaqësues i SHISH apo zyrtar i lartë ka pasur ndonjëherë kontakt apo takim me Ergys Agasin. Këtë informacion ia kërkoja SHISH-it, i cili ka dhënë një përgjigje që për shkak të natyrës së institucionit sot mbahet në protokollin sekret të parlamentit. Unë do të kërkoj që organet ligjzbatuese ta tërheqin atë dokument sepse ai dokument mund të shërbejë edhe për hetimin, për të parë se si SHISH është përgjigjur ndaj kësaj kërkese institucionale. Është detyrim kushtetues e ligjor që institucionet të thonë të vërtetën në këto kërkesa.”
Deputeti demokrat ndali gjithashtu në seancat e pyetjeve të zhvilluara brenda komisionit parlamentar, ku Hyseni është përballur me pyetje direkte për lidhjet e saj përpara se të merrte drejtimin e inteligjencës shqiptare.
Gjithashtu, Balliu nënvizoi se fijet e gjithë këtij rrjeti drejtuesish të lartë të sigurisë e policisë çojnë te një emërues i përbashkët: kryeministri Edi Rama.
“Vlora Hyseni ka qenë në komisionin ku unë bëj pjesë dhe i është ngritur pyetja nëse ka pasur ndonjëherë kontakt apo marrëdhënie me Agasin para funksionit si shefe e SHISH. Kjo përgjigje po ashtu mbetet e klasifikuar sepse mbledhja në komision ka qenë një takim me dyer të mbyllura. Vlora Hyseni, Ergys Agasi dhe Ilir Proda kanë të përbashkët emërimin e tyre nga firma e Edi Ramës. Vlora Hyseni ishte në Kosovë dhe u largua nga Albin Kurti nga pozita si drejtuese e inteligjencës për rrjedhje informacionesh. Më pas Rama e mori si këshilltare të sigurisë,” përfundoi Balliu.
