Në vijim të analizës së tij për situatën politike dhe qeverisjen në vend, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka lëshuar akuza të forta mbi mënyrën se si funksionojnë klanet brenda mazhorancës dhe përpjekjet për t’i bërë ballë kësaj situate. Hoxha theksoi se brenda mazhorancës ekzistojnë klane me interesa të caktuara financiare, të cilat i kanë vënë “lapsin” pronave më me vlerë në të gjithë vendin.
“Brenda pushtetit ka klane edhe me interesa të ndryshme, këto janë krahët e muskujt e Rilindjes. Nuk është bërë as hetimi i plotë. Duhen 5 mandate qeverish për të hetuar të gjithë veprimtarinë ligjore që ka prodhuar ky grup kriminal me Edi Ramën. I kanë vënë lapsin pronave në qarqet me interes të lartë.”
Sipas zyrtarit të opozitës, përmasat e shkeljeve janë aq të mëdha saqë organet e reja të drejtësisë do të përballen me një punë voluminoze me vite me radhë për të individualizuar përgjegjësitë penale.
“SPAK-ut do t’i duhen vite e vite për të prodhuar akuzat personale për çdo anëtar të grupit kriminal. Qytetarët duhet të bëjnë çdo gjë për marrjen e Republikës. Republika është rrëmbyer sot.”
Përveç kritikave ndaj mazhorancës, Hoxha u ndal edhe te situata e brendshme në Partinë Demokratike, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm moral dhe largimin e çdo figure që përfiton nga sistemi i pushtetit.
“Mendoj se nuk është bërë gjë për të pasur një kulturë politike në Shqipëri. Opozita duhet të hyjë në fazë emergjence, mes atyre që ndjekin shembullin e moralit politik dhe atyre që janë mercenarë politikë që duan të mbajnë sistemin e tepsisë së kalbur në fuqi. Nuk mund të ketë njerëz të lidhur me tendera me Ballukun në struktura drejtuese të PD.”
