Aktivisti Edison Lika ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë protestës së 116-të kundër qeverisë, ndërsa u ndal edhe te çështja e inceneratorëve dhe zhvillimet që, sipas tij, kanë ndodhur në Austri.
Duke folur para qytetarëve të mbledhur në protestë, Lika deklaroi se qëndresa e vazhdueshme në shesh ka nisur të japë rezultate dhe pretendoi se pushteti i qeverisë po dobësohet dita-ditës.
Ai deklaroi se Mirel Mërtiri është kapur në Austri së bashku me prova që lidhen me aferën e inceneratorëve.
“Qëndresa dhe rezistenca jonë në shesh i ka dhënë rezultatet e veta. Sot në Austri është kapur edhe Mërtiri me provat e inceneratorëve. Ditë pas dite e kemi gërryer pushtetin e kësaj qeverie”, deklaroi Lika.
Aktivisti e drejtoi më pas sulmin ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si përgjegjësin kryesor për atë që ai e konsideron një sistem të ngritur rreth qeverisë.
Sipas Likës, protesta kundër qeverisë nuk duhet të ndalet deri në vënien para drejtësisë të personave që protestuesit i konsiderojnë përgjegjës për abuzimet me fondet publike, duke e drejtuar akuzën kryesore ndaj kreut të qeverisë.
Lika u bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë rezistencën, duke pretenduar se protesta e përditshme po ushtron presion mbi qeverinë dhe se tërheqja në këtë moment do të ndërpriste, sipas tij, një proces që tashmë ka nisur të japë rezultate.
