Aktivisti Arben Kola ka përshëndetur nga protesta para Kryeministrisë vendimin e SPAK për tw pranuar çështjen e Rrjollit, ndërsa i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë dhe të veprojë ndaj çdo politikani të dyshuar për abuzime me paratë e qytetarëve.

Duke folur para protestuesve, Kola u ndal fillimisht te zhvillimet rreth çështjes së inceneratorëve, ndërsa deklaroi se goditja e personave të përfshirë në afera korruptive është një sinjal pozitiv për drejtësinë.

“SPAK ka nisur të veprojë. Ndalimi i Mirel Mërtirit, një nga kokat e inceneratorëve, që i shkaktoi një dëm të madh shqiptarëve, është lajm i mirë”, deklaroi Kola.

Aktivisti u ndal më pas te beteja e banorëve të Rrjollit, të cilët prej muajsh kundërshtojnë projektin “Baks Bay”.

“Sot BKH e SPAK pranuan denoncimin e Rrjollit, në mes të Shëngjinit e Velipojës. Banorët kanë protestuar për muaj me radhë. Pranimi i çështjes nga SPAK është lajm i mirë”, u shpreh Kola.

Në vijim të fjalës së tij, Kola deklaroi se drejtësia nuk duhet të bëjë dallime politike, ndërsa përsëriti edhe një prej thirrjeve të dëgjuara gjatë protestave të fundit.

Ai i bëri më pas një thirrje të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Posaçme që hetimet të shtrihen ndaj çdo zyrtari apo politikani për të cilin ka prova për abuzime, pavarësisht krahut politik.

“Ftojmë SPAK të arrestojë Ballukun dhe Ramoviçin. SPAK, vepro me dorë të hekurt ndaj çdo politikani që ka vjedhur shqiptarët. Koha është tani. Shqiptarët duan drejtësi e paqe”, deklaroi Kola.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb