Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur në Tiranë, ndërsa nesër pritet të zhvillojë takimin e parë zyrtar me Presidentin Bajram Begaj, ku do të dorëzojë letrat kredenciale.
Takimi mes Wendt dhe Begajt është parashikuar të zhvillohet në orën 11:00, në një takim kokë më kokë.
Eric Wendt është gjeneral-lejtnant amerikan në pension dhe ka një karrierë mbi 34-vjeçare në ushtrinë amerikane, me fokus të veçantë te operacionet speciale dhe siguria.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka komanduar forcat e operacioneve speciale të NATO-s, ku ka bashkëpunuar edhe me trupa shqiptare. Ai ka shërbyer gjithashtu me ushtarakë shqiptarë gjatë misioneve në Afganistan.
Pas daljes në pension nga ushtria, Wendt ka vijuar angazhimin në fushën e sigurisë dhe të lidershipit, duke dhënë mësim për komandimin dhe udhëheqjen në Naval Postgraduate School.
Gjatë seancës së konfirmimit në Senatin amerikan në maj, Wendt prezantoi edhe prioritetet që synon të ndjekë gjatë mandatit të tij në Shqipëri.
Në fokus ai renditi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike, si dhe garantimin e trajtimit të drejtë dhe transparent të investitorëve amerikanë.
Ndër sektorët e përmendur prej tij janë energjia, infrastruktura, minierat dhe inteligjenca artificiale.
Me mbërritjen e Wendt në Tiranë, nis zyrtarisht edhe angazhimi i tij në krye të misionit diplomatik amerikan në Shqipëri.
