Zhvillimet e fundit në vend kanë sjellë një reagim nga ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, i cili ndalet te një sërë çështjesh që kanë tërhequr vëmendjen publike.

Në reagimin e tij, Jaço përmend arrestimin e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, si edhe akuzat për korrupsion ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.

Jaço shprehet se ritmi me të cilin po shfaqen zhvillimet publike ka bërë që një ngjarje të zëvendësojë shumë shpejt tjetrën, duke lënë pak hapësirë për të kuptuar plotësisht atë që ka ndodhur më parë.

“Dikur, secila prej këtyre do mjaftonte për ta tronditur një vend. Sot, njëra mbulon tjetrën. Ende pa e kuptuar ç’ndodhi dje, hapim telefonin dhe lexojmë skandalin e radhës”, shkruan ai.

Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë ngre gjithashtu pyetjen se çfarë duhet të ndodhë më tej në Shqipëri, në një kohë kur në publik janë bërë pjesë e debatit disa dosje dhe hetime që lidhen me marrëdhëniet mes krimit të organizuar dhe pushtetit.

Reagimi i Jaços vjen në një klimë të fortë debati publik, teksa zhvillime të ndryshme në drejtësi dhe politikë kanë rikthyer në vëmendje çështjet e korrupsionit, hetimeve dhe përgjegjësisë së zyrtarëve.

Reagimi i Enio Jaços

Çfarë tjetër duhet të ndodhë në Shqipëri?

Kreu i shërbimit sekret shkarkohet dhe vihet nën arrest, për lidhje me krimin e organizuar. Zv. Kryeministrja e akuzuar për korrupsion. Dosje të tëra në hetim për lidhje të krimit me drejtues të lartë në pushtet. Qytetarët në rrugë prej 4 muajsh.

Dikur, secila prej këtyre do të mjaftonte për ta tronditur një vend. Sot, njëra mbulon tjetrën. Ende pa e kuptuar ç’ndodhi dje, hapim telefonin dhe lexojmë skandalin e radhës.

Nuk është e qartë nëse gjërat po dalin më në fund në dritë, apo po shohim sa thellë kanë shkuar. Ndoshta të dyja.

Por ka diçka, më të heshtur, por më të rrezikshme: sa shpejt po mësohemi. Habitemi për disa orë. Diskutojmë për disa ditë. Pastaj presim emrin tjetër, dosjen tjetër, protestën tjetër.

Pyetja nuk është më çfarë do të dalë nesër. Po çfarë duhet të ndodhë, që një lajm i tillë të mos na duket më si një ditë e zakonshme?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb