Aktivisti Edison Lika, në një intervistë në News24 komentoi skandalin ku u përfshi ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni.
Lika theksoi se në një shtet normal, qeveria do të binte. Ai u shpreh se është shqetësuese, që në qeverinë Rama, edhe skandalet janë normalizuar.
“Nëse do ishim shtet normal, qeveria duhet të jepte dorëheqjen. Kryeministri duhet të kishte përgjegjësi për personin e zgjedhur. Në Shqipëri është normalizuar edhe skandali. Në qeverinë e Ramës kanë dalë skandale, që as mund t’i imagjinonim. Që shefja e SHISH t’i dërgonte mesazhe njeriut më të kërkuar në vend është skandal mbi skandale. Kanë dalë të dhëna sekrete dhe askush nuk është më i sigurt më në këtë vend”, tha Lika.
Aktivisti nënvizoi se protesta tashmë është maturuar dhe se ajo protestë do çojë në fundin e regjimit të Ramës.
“Protesta tashmë është maturuar. Rezistenca vazhdon, jemi transparentë në veprimtarinë tonë dhe jam i bindur se qeveria do të bjerë. Patjetër që do të ketë protesta masive. Mendoj se në tetor do të ketë protesta masive, sepse është tetori i studentëve, se ata kanë premtuar se do jenë masivisht në protestë. Duhet t’i japim fund njëherë e mirë tranzicionit të lodhshëm shqiptarë. Protesta ndaj Ramës kishte edhe në Nju Jork, ku u tentua të qëllohet me vezë kryeministri dhe ajo ishte vezë në dorën e çdo shqiptari. Unë mendoj që shqiptarët që janë djegur nga kjo politikanë, duhet të ndjekin këmbë pas këmbe këta pushtetarë të papërgjegjshëm, që kanë detyruar qytetarët të ikin jashtë vendit”, deklaroi aktivisti Lika.
