Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli vijon operacionet për gjurmimin e personave që morën pjesë në sulmin në jug të vendit. Kreu i Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake të Izraelit, gjeneralmajor Shlomi Binder, u ka thënë ministrave të Këshillit të Sigurisë se shumica e palestinezëve që kaluan kufirin atë ditë janë vrarë.

Sipas Binder, rreth 6 mijë persona kaluan gardhin kufitar, ndërsa rreth 4 mijë prej tyre janë vrarë. “Kanë mbetur 2 mijë, do t’i gjejmë të gjithë”, raportohet të ketë deklaruar ai gjatë takimit të dielën në mbrëmje.

Deklarata erdhi pasi ministri i Trashëgimisë Kulturore, Amihai Eliyahu, pyeti se sa prej personave që hynë në Izrael gjatë sulmit të 7 tetorit janë ende gjallë.

Hamasi po përgatitet për rifillimin e luftimeve

Gjatë informimit të ministrave, zyrtarët izraelitë të inteligjencës raportuan gjithashtu se Hamasi po përgatitet për një rikthim të mundshëm të armiqësive në Rripin e Gazës.

Sipas raportimeve të Ynet, kreu i Shin Bet, David Zini, u tha ministrave se Hamasi mund të planifikojë një sulm ose një operacion lokal për rrëmbimin e personave pranë periudhës së zgjedhjeve ose menjëherë pas tyre.

Vlerësimi izraelit është se Hamasi po përpiqet të fitojë kohë për të rekrutuar anëtarë të rinj dhe për të grumbulluar armë. Sipas zyrtarëve, organizata po zhvendos gjithashtu armë në zona të populluara.

Në vlerësimin e paraqitur para ministrave thuhet se Hamasi beson se deri në zgjedhjet në Izrael dhe Shtetet e Bashkuara, hapësira e manovrimit të Izraelit do të jetë më e kufizuar dhe se një operacion i ri në shkallë të gjerë në Gaza nuk do të marrë lehtësisht mbështetje politike.

Zyrtarët izraelitë paralajmëruan njëkohësisht edhe për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në disa fronte.

Hamasi ende ka dhjetëra mijëra luftëtarë

Sipas vlerësimeve të zyrtarëve të lartë izraelitë, krahu ushtarak i Hamasit ende numëron dhjetëra mijëra luftëtarë, një shifër që, sipas tyre, nuk është shumë më e ulët se ajo para sulmit të 7 tetorit.

Sipas këtyre vlerësimeve, një nga faktorët që ka ndihmuar Hamasin të ruajë kapacitetet njerëzore është prania e tij administrative në Gaza, e cila i mundëson organizatës të rekrutojë persona të rinj. Zyrtarët pretendojnë gjithashtu se Hamasi ofron paga më të larta se shumë prej mundësive të tjera të punësimit për të rinjtë palestinezë.

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, luftëtarët e Hamasit sot kanë më pak përvojë dhe janë më pak të trajnuar. Kapacitetet e organizatës në armatime dhe infrastrukturë ushtarake vlerësohen gjithashtu si dukshëm më të kufizuara krahasuar me periudhën para 7 tetorit.

Rënia e nivelit të trajnimit lidhet, sipas vlerësimit izraelit, edhe me pamundësinë e Hamasit për të zhvilluar stërvitje të rregullta pa rrezikuar zbulimin dhe goditjet nga Izraeli.

Në të njëjtën kohë, Hamasi po përballet me probleme të konsiderueshme në komandim dhe kontroll pas humbjeve të mëdha në radhët e drejtuesve të tij. Sipas zyrtarëve izraelitë, personat që promovohen në pozicione drejtuese shpesh vriten dhe zëvendësohen brenda një kohe të shkurtër, duke bërë që pasardhësit të kenë më pak përvojë dhe ndikim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb