Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur më 5 tetor në Tiranë, ku gazetari Bledi Mane u sulmua nga protestuesit gjatë zhvillimeve të protestës.

Përmes një reagimi zyrtar, Policia bën me dije se strukturat e saj po kryejnë veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit, për të identifikuar personat e përfshirë dhe për ta referuar çështjen në Prokurori.

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT

Në lidhje me incidentin e datës 5 tetor, në Tiranë, ku u sulmua gazetari B. M., strukturat e Policisë po kryejnë veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe referimin e çështjes pranë organit të Prokurorisë, në përputhje me ligjin.

Policia e Shtetit dënon çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve dhe garanton të drejtën kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. Por ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të përdoret për të kanosur, shënjestruar apo sulmuar qytetarë të tjerë, për shkak të mendimeve dhe bindjeve të tyre.

Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të shmangin çdo formë konfrontimi dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Çdo person që ndihet i kërcënuar apo i kanosur duhet t’u drejtohet strukturave të Policisë. Çdo kallëzim do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin.

Policia e Shtetit do të mbrojë njësoj qytetarin që proteston dhe qytetarin që mendon ndryshe. Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: