Aktorja Monika Lubonja ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj kompozitorit Adi Hila, pas publikimit në rrjet të disa videove intime të artisteve.
Videot dyshohet se janë regjistruar nga vetë Adi Hila, ndërsa gratë që shfaqen në to kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni se po filmoheshin dhe se nuk kanë dhënë pëlqimin për regjistrimin apo publikimin e pamjeve.
Përmes një reagimi të gjatë, Lubonja ka bërë të ditur se nuk ka dhënë asnjëherë leje për t’u filmuar dhe se përballë asaj që ka ndodhur ka zgjedhur t’i drejtohet drejtësisë. Ajo thekson se cenimi i privatësisë dhe dinjitetit të saj nuk mund të justifikohet nga marrëdhënia apo besimi që kishte ndaj personit në fjalë.
Aktorja shprehet se tashmë çështjen do ta ndjekë përmes rrugës ligjore, duke lënë në duart e institucioneve përgjegjëse trajtimin e rastit.
Postimi i Monika Lubonjës:
Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia por edhe me vendosmërin për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj.
Kerkoj dhe shpresoj të ndalet baltosja ime në emër të një ‘morali kolektiv’. Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zbëhet nga tradhtia e dikujt, të cilit i fala disa vite të jetës sime.
Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të rregjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhenë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje.
Mediave u kërkoj të respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me publikime të materialeve intime.
Opinionit publik i kërkoj të mos e ktheje dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë.
I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund.
Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ja fal askujt që përdori jetën time!
Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e
vërteta do flasë.
Zotit i kërkoj forcë që kjo plagë të mos ma mbush zemën me urrejtje. Besoj se ai e njeh të vërtetën time dhe pres që drejtësia të bëjë punën e saj.
