Aktivisti Aulon Kalaja ka ngritur shqetësimin për djegien e mbetjeve në fshatin Larushkë, në njësinë administrative Fushë-Krujë, bashkia Krujë, ku sipas tij, mbeturinat e pa pastruara po digjen pranë rrugës nacionale që lidh Fushë-Krujën me Tiranën.

Përmes një denoncimi nga zona, Kalaja tregon grumbujt e mbeturinave, ku krahas mbetjeve shtëpiake ka edhe produkte të pashitura nga marketet dhe materiale mobiliesh. Sipas tij, kjo situatë përsëritet për shkak se mbeturinat nuk largohen në kohë, duke bërë që ato të grumbullohen dhe më pas të digjen.

Kalaja thekson se ndotja e ajrit përbën një shqetësim serioz për banorët e zonës, veçanërisht për shkak të tymit që përhapet pranë rrugës, ku ka edhe qarkullim të dendur automjetesh.

“Ndodhem në fshatin Larushkë, në njësinë administrative Fushë-Krujë, bashkia Krujë, ku, siç e shikoni pas shpinës sime, po digjen mbeturinat. Bëhet fjalë për djegien e mbeturinave në një orar të caktuar të ditës. Jemi në rrugën nacionale që lidh Fushë-Krujën me Tiranën, ku, siç e shikoni, ka një lëvizje shumë të madhe të automjeteve. Ndërkohë, këto janë mbeturina të papastruara. Meqenëse ato nuk largohen, banorëve u mbetet t’u vënë flakën, pasi këtu krijohen grumbuj të mëdhenj mbeturinash. Le ta shohim nga afër se çfarë ka ndodhur. Këtu ka mbeturina shtëpiake, por edhe mbetje nga marketet, të cilat hedhin produktet e pashitura. Ka edhe materiale mobiliesh, ndërsa mbeturinat vazhdojnë të shtrihen për disa metra përgjatë kësaj zone. Kjo është një situatë problematike. Nuk është hera e parë që e denoncoj këtë çështje, sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Në fakt, ne mbajmë një rekord si bashki, pasi kemi edhe Kodër Dallakën, ku digjen plehrat dhe ndotet ajri. Shikoni, të nderuar miq, këtë ajër që thithim në mushkëritë tona. Ndotja është një rrezik serioz për shëndetin e banorëve të zonës. Banorët janë të shqetësuar edhe për sëmundjet e rënda, përfshirë kancerin, që po prekin gjithnjë e më shumë familje në këtë zonë. Siç e shikoni, tymin e thithin edhe kalimtarët, ndërsa automjetet vijojnë të qarkullojnë në këtë rrugë. Ky është një tjetër denoncim që vjen si pasojë e shqetësimit të banorëve. Kjo është situata në Larushkë, në zonën e Fushë-Krujës”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb