Reshjet e dendura të shiut që goditën disa zona të ishullit të Lesvosit, në Greqi, të hënën, më 12 tetor, shkaktuan përmbytje dhe probleme në qarkullim. Në epiqendër të fenomenit ishte Skala Eressou, ku prurjet e mëdha të ujit bënë që lumi të dilte nga shtrati. Sasia e madhe e reshjeve në një periudhë të shkurtër kohore rriti ndjeshëm nivelin e lumit, duke marrë me vete gurë, dhe dhe mbeturina të tjera. Në urën pranë Agios Andreas, aty ku lumi derdhet në det, një makinë e parkuar u rrëmbye nga rrjedha e ujit. Mjeti arriti të ndalej në kohë, përpara se të përfundonte në det.
Sipas presidentit të Eressou, Antonis Eleftheriou, në një moment u krijua një problem me rrjedhën e ujit, por ndërhyrja ishte e menjëhershme për të hapur kalimin dhe për të mundësuar vijimin e rrjedhës. Uji depërtoi edhe në zonat e banuara, kryesisht në oborret e shtëpive, por deri tani nuk raportohen dëme serioze. Probleme u shënuan gjithashtu në rrugën drejt Mesotopos, ku gurët dhe dheu i sjellë nga vërshimet mbuluan pjesë të rrugës.
Reshje të dendura u regjistruan edhe në zona të tjera të Lesvosit perëndimor dhe verior, përfshirë Molyvosin. Intensiteti i lartë i shiut në një kohë të shkurtër shkaktoi grumbullime të mëdha uji, duke ngritur shqetësime për prurjet në përrenj dhe në pjesët e ulëta të rrjetit rrugor. Situata në Skala Eressou është qetësuar dhe niveli i ujit po tërhiqet. Ndërhyrjet janë përqendruar në largimin e mbeturinave dhe pastrimin e zonave të prekura. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët provinciale dhe në zonat ku mund të grumbullohen sasi të mëdha uji.
