Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, nuk ka gjetur ende një sistemim për të vazhduar karrierën e tij, që kur i dha lamtumirën kuqezinjve.

Tekniku ka qenë në negociata me disa klube, siç ka treguar vetë në një intervistë të dhënë së fundmi, teksa është i fokusuar që të qëndrojë në Europë pasi sipas tij është kulmi i futbollit në botë.

Kjo është arsyeja pse së fundmi kishte refuzuar edhe mundësinë për të drejtuar Korinthiasin në vendlindje. Por ndërsa trajneri mendohej se do të zgjidhte një klub për të vazhduar karrierën, ka ardhur lajmi i papritur se Silvinjo ka nisur bisedimet me Federatën Bullgare të Futbollit për të marrë drejtimin e përfaqësueses së këtij vendi.

Bullgaria është aktualisht një nga ekipet më të dobëta në kontinent dhe nën drejtimin e Atanas Ribarski ka marrë vetëm një fitore ndaj Luksemburgut në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve në Ligën C. Bëhet e ditur se po shqyrtohen edhe kandidatura të tjera si Robert Prosineçki dhe Eduard Jordanesku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb