Aktivistja dhe anëtarja e Dhomës Britanike, Silvana Xhaferri Hoxha, ka deklaruar në një intervistë për “News24” se të rinjtë dhe studentët janë forca kryesore që mund të sjellë ndryshime në vend.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve dhe prindërve që të mbështesin protestat studentore dhe të marrin seriozisht mundësinë e një opozite të organizuar.

Duke komentuar protestën e studentëve, ajo tha se të rinjtë e kanë organizuar vetë tubimin, të planifikuar në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit. Sipas saj, studentët kundërshtojnë kushtet në të cilat ndodhen dhe mungesën e meritokracisë.

Hoxha theksoi se protestuesit synojnë të ruajnë pavarësinë e lëvizjes së tyre nga ndikimi i qeverisë, opozitës apo forcave të tjera politike. Ajo shtoi se aktivistët kërkojnë të mbikëqyrin edhe funksionimin e një qeverie teknike, nëse kjo alternativë do të vihej në jetë.

Një tjetër çështje e ngritur prej saj ishte Kodi Zgjedhor, të cilin e konsideroi pengesë për partitë e reja politike që synojnë të hyjnë në garën zgjedhore dhe të fitojnë mbështetje. Sipas Hoxhës, vështirësitë me të cilat përballen partitë e vogla tregojnë nevojën për të diskutuar rregullat e konkurrimit politik.

Në intervistë, aktivistja u ndal edhe te reforma në drejtësi dhe roli i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ajo vlerësoi investimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krijimin e SPAK-ut dhe reformën në drejtësi, duke theksuar se këto përpjekje duhet të ruhen. Hoxha iu referua gjithashtu qëndrimeve të presidentit amerikan Donald Trump për luftën kundër krimit dhe drogës.

“Revolucionet i bën rinia, ne të tjerët duhet të jemi aty. Të gjithë prindërit duhet të jenë aty. Studentët janë të painfluecuar nga të tjerët , vetë kanë vendosur protestën në orën 14:00 te Ministria e Arsimit, sepse e shohin si “ministria e krimit”, për ta. Kushtet në të cilën ndodhen sot, meritokracia që nuk ekziston.  Të gjithë aktivistët kryesore në atë protestë, për të mos dhënë hapësirë që kryeministri apo opozita apo çdo forcë që nuk e do këtë ndryshim, kanë treguar se jemi aty që të mbikëqyrim edhe qeverinë teknike. Nëse do shohim Kodin Zgjedhor në gjendjen aktuale tani, është e papërshtatshëm për një parti të re politike të hyjë dhe të fitojë terren, këtë gjë e pamë edhe me partitë e vogla. Investimi që SHBA kanë bërë në krijimin e SPAK dhe reformën në drejtësi është një investim që duhet ruajtur. Presidenti Trump e ka bërë të qartë luftën kundër krimit, drogës”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: