Nga Axios
Presidenti Donald Trump i ka kërkuar këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë të shqyrtojë akuza të bujshme që iu paraqitën të premten në Zyrën Ovale. Ish-avokatja e Trump, Alina Habba, i tha presidentit se një tjetër prej këshilltarëve të tij të nivelit të lartë, ish-drejtuesi i Qendrës Kennedy, Ric Grenell, nuk kishte depozituar një donacion prej disa milionë dollarësh që bashkëshorti i saj miliarder i kishte premtuar institucionit një vit më parë. Kështu bëjnë të ditur katër zyrtarë të lartë të administratës dhe tre persona të informuar për konfliktin.
Grenell i mohoi akuzat, duke i cilësuar ato si “absurde” dhe “gënjeshtër”.
Habba dhe bashkëshorti i saj, Turhan Mildon, refuzuan të komentojnë përmes një zëdhënësi.
Përplasja e jashtëzakonshme mes dy këshilltarëve të nivelit të lartë të presidentit, të cilët më parë ishin aleatë, ofron një pamje të rrallë dhe të ashpër të prapaskenave ku ndërthuren pushteti, ndikimi dhe paratë në Uashingtonin e Trump.
Burime nga Shtëpia e Bardhë thanë se Habba u kishte bërë të ditur se vlera totale e kontributit në fjalë ishte gati 6 milionë dollarë.
Një zyrtar i lartë i administratës paralajmëroi se “këto janë vetëm akuza. Nuk e dimë nëse janë të vërteta. Mund të bëhet fjalë për një keqkuptim”.
Një tjetër zyrtar u shpreh: “Presidenti nuk dëshiron të merret me këtë çështje. Sigurisht që është i shqetësuar. Por, nëse paratë mungojnë, ky është një problem shumë, shumë i madh”.
Vetëm pak muaj më parë, Grenell ishte mik me Mildon dhe Habba. Megjithatë, ai mungoi dukshëm në dasmën e tyre, e cila kushtoi 10 milionë dollarë dhe u zhvillua muajin e kaluar, ku morën pjesë zyrtarë të kampit të Trump, figura me ndikim dhe personalitete të njohura.
“Ky është konflikti më i madh i brendshëm në kampin MAGA”, tha një person i afërt me rrethin e Trump, i cili kishte dijeni për përplasjen.
Si nisi konflikti?
Sipas personave të njohur me çështjen, mosmarrëveshja e ka zanafillën te miqësia mes Grenell dhe Mildon. Të dy kishin interesa të përbashkëta në Venezuelë në fillim të vitit 2025, menjëherë pasi Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
Grenell, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Trump, mbështeste normalizimin e marrëdhënieve të SHBA-së me presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Mildon, shtetas turk, kishte interesa të konsiderueshme biznesi në Venezuelë, të cilat rrezikoheshin nga fushata e presionit të ashpër të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, kundër Maduros
Dyshimet për transferimin e milionave
Sipas dy burimeve, në pranverën e vitit 2025, Grenell e bindi Mildon që një donacion prej disa milionë dollarësh për Qendrën Kennedy të përfshihej në një pagesë të vetme prej 17.6 milionë dollarësh, të lidhur me një marrëveshje biznesi ku përfshihej një kompani amerikane. Këtë pretendim Habba ia paraqiti presidentit dhe stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Avokatët e Habbas planifikojnë t’i dorëzojnë Shtëpisë së Bardhë dokumente në mbështetje të akuzave të saj. Dokumentet, të shqyrtuara nga Axios, lidhen me pretendimin se në pranverën e vitit 2025 Grenell kishte kërkuar nga Mildon një donacion për Qendrën Kennedy, i cili do të shkonte te një kompani private.
“Avokati i Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar dokumente dhe prova. Deri më tani, nuk është paraqitur asgjë”, deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Grenell i cilësoi deklaratat e Habbas drejtuar Trump si “absurde”.
“Nuk kam kërkuar kurrë që asnjë cent të dërgohet diku tjetër, duke u paraqitur sikur ishte për Qendrën Kennedy, dhe nuk kam marrë kurrë asnjë pagesë prej tij. Le të paraqesë prova për ato që thotë, në vend që të bëjë akuza absurde”, deklaroi ai.
Sipas burimeve, kur Habba i ngriti fillimisht akuzat ndaj Grenell, ajo foli për një kontribut prej 17 milionë dollarësh për Qendrën Kennedy. Por, pasi mësoi më shumë hollësi nga bashkëshorti i saj, shpjegoi se shuma konkrete për të cilën bëhej fjalë ishte 5.6 milionë dollarë.
“Ka qenë e vështirë të ndiqet kjo çështje, sepse shifrat kanë ndryshuar”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.
Sipas burimeve, pasi pretendohet se kishte bërë kontributin, Mildon nuk kishte kontrolluar nëse paratë ishin depozituar. Ai besonte se shuma ishte regjistruar si donacion, pasi ishte trajtuar si donator VIP në Qendrën Kennedy, ku kishte takuar Habban në fund të vitit 2025, përpara lidhjes së tyre të shpejtë romantike dhe martesës.
Përplasja me Rubio dhe zhvillimet në Venezuelë
Sipas burimeve, Mildon dhe Habba e zbuluan problemin pasi marrëdhëniet e tyre të biznesit me Grenell u përkeqësuan. Ky i fundit humbi një betejë të brendshme për pushtet brenda administratës, në përballjen me Marco Rubion. Konflikti kulmoi më 3 janar, kur SHBA-ja kapi Nicolás Maduron dhe e dërgoi në Nju Jork për t’u përballur me akuza lidhur me trafikun e narkotikëve. Në qershor, pasardhësja e Maduros, Delcy Rodríguez, nxori një urdhër për revokimin e njërës prej kontratave të kompanisë së Mildon për administrimin e fabrikave shtetërore të çimentos në Venezuelë, raportoi të hënën gazeta The New York Times.
Një burim i njohur me çështjen i tha Axios gjatë verës se ky veprim ishte ndikuar pjesërisht nga presioni i qeverisë amerikane.
Më pas, Rodríguez e ndryshoi vendimin, raportoi The New York Times, pasi mësoi për marrëdhënien e re të Mildon me Habban. Udhëheqësja venezueliane besonte se kjo lidhje i jepte biznesmenit mbështetjen e Trump.
Sipas burimeve, gjatë kohës që The New York Times po hetonte çështjen e kontratës së Mildon, Habba zbuloi se donacioni që bashkëshorti i saj mendonte se kishte dhënë nuk kishte mbërritur kurrë në Qendrën Kennedy.
Çfarë ndodhi në Shtëpinë e Bardhë?
Të premten e kaluar, Habba shkoi në Shtëpinë e Bardhë për ta informuar presidentin mbi situatën. “Alina shpërtheu nga zemërimi”, pasi bashkëshorti i saj i tregoi se nuk i kishte dhuruar paratë drejtpërdrejt Qendrës Kennedy. Dokumentacioni i institucionit tregonte se Mildon i detyrohej në fakt një donacion prej 270 mijë dollarësh, të cilin kishte premtuar ta jepte. Zyrtarët thanë se nuk kishte asnjë regjistrim që Mildon të kishte dhënë një shumë qoftë edhe të përafërt me 5.6 milionë dollarë. Dokumentet tregojnë se të martën Mildon pagoi 270 mijë dollarët për Qendrën Kennedy.
Në një konfirmim të pjesshëm të pretendimeve të Habbas, një zyrtar tha se punonjësit e Qendrës Kennedy kishin kërkuar në fund të vitit të kaluar regjistrimin e kontributit të Mildonit, që në atë kohë mendohej se ishte 6 milionë dollarë, por nuk kishin mundur ta gjenin.
Megjithatë, Lisa Dale, e cila administronte financat e qendrës në atë periudhë, deklaroi se i vetmi regjistrim në dokumentacionin e saj që lidhej me Mildon tregonte se ai i detyrohej institucionit 270 mijë dollarë.
“Nuk kishte asgjë për 6 milionë dollarë. Do të kisha dëgjuar për këtë”, i tha ajo Axios.
Lidhjet e Habbas dhe Grenell me Trump
Habba dhe Grenell i kanë rrënjët e marrëdhënieve të tyre politike te administrata e parë e Trump. Grenell shërbeu si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe më pas si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare. Habba ishte avokatja personale e Trump dhe, gjatë mandatit të tij aktual, shërbeu për një periudhë të shkurtër si prokurore federale në Nju Xhersi. Qendra Kennedy ka qenë një burim i vazhdueshëm polemikash për Trump, për shkak të përpjekjeve të tij për të vendosur emrin në ndërtesë dhe problemeve me mbledhjen e fondeve.
Nëse pretendimet e Habbas për paratë e munguara rezultojnë të vërteta, kjo mund të shkaktojë zemërim të veçantë te Trump, i cili e konsideron qendrën dhe financimin e saj një çështje personale. Personat që njohin mënyrën se si mendon presidenti thonë se ai është veçanërisht kritik ndaj atyre që përdorin emrin e tij ose abuzojnë me pozicionet që ai u ka besuar. Shkarkimi i ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, të martën, ishte një tjetër kujtesë e kësaj qasjeje.
Përfshirja e dy figurave të rëndësishme të kampit Trump në një konflikt kaq të ashpër e ndërlikon më tej situatën.
“Askush nuk dëshiron të përfshihet në luftën mes Alina Habbas dhe Ric Grenell”, tha një zyrtar.
Shtëpia e Bardhë po heton pretendimet se një prej aleatëve të Donald Trump
Nga The Telegraph
Shtëpia e Bardhë po heton pretendimet se një prej aleatëve të Donald Trump nuk ka depozituar një donacion prej disa milionë dollarësh për Qendrën Kennedy, gjatë kohës kur drejtonte këtë institucion të arteve.
Richard Grenell, ish-drejtor i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, akuzohet se ka neglizhuar depozitimin e donacionit prej 5.6 milionë dollarësh (4.3 milionë paund) nga një biznesmen i pasur turk.
Grenell i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “absurde”.
Diplomati i dikurshëm, i cili aktualisht shërben si i dërguari presidencial i Trump për misione të posaçme, drejtoi përkohësisht Qendrën Kennedy në Uashington nga shkurti i vitit 2025 deri në mars të vitit 2026.
Fondacioni i arteve, i përfshirë në një krizë të thellë, ndodhet në qendër të një përplasjeje me pasoja të rëndësishme mes Trump dhe sistemit gjyqësor amerikan, pasi presidenti shkarkoi anëtarët e bordit drejtues dhe i zëvendësoi ata me aleatët e tij.
Alina Habba, një avokate e njohur, u takua me Trump më 9 tetor për ta informuar mbi pretendimet se Grenell nuk kishte depozituar një dhurim financiar të destinuar për qendrën, të premtuar nga bashkëshorti i saj miliarder, Turhan Mildon.
Habba, e cila më parë ka shërbyer si prokurore e lartë federale në Nju Xhersi, deklaroi se donacioni prej disa milionë dollarësh që bashkëshorti i saj kishte premtuar për Qendrën Kennedy ishte pjesë e një pagese më të madhe, në vlerën e 17.6 milionë dollarëve (13.5 milionë paund), sipas Axios.
Gjatë një takimi me Trump në Zyrën Ovale, ajo pretendoi se së fundmi kishte zbuluar së bashku me bashkëshortin se paratë nuk kishin shkuar te Qendra Kennedy, siç ishte planifikuar.
Lisa Dale, e cila ishte përgjegjëse për financat e Qendrës Kennedy në atë kohë, i tha Axios se i vetmi regjistrim në dokumentacionin e saj financiar që lidhej me Mildon tregonte se ky i fundit i detyrohej institucionit 270 mijë dollarë. Sipas raportimeve, kjo shumë u pagua më 13 tetor.
Një zyrtar i administratës amerikane deklaroi se “këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar dokumente dhe prova. Deri më tani, nuk është paraqitur asgjë”. Grenell mohoi çdo shkelje dhe i hodhi poshtë akuzat si “absurde”.
“Unë nuk kam kërkuar kurrë që asnjë cent të dërgohet diku tjetër, duke u paraqitur sikur ishte për Qendrën Kennedy, dhe nuk kam marrë kurrë asnjë pagesë prej tij”, deklaroi ai.
Habba dhe Grenell janë të dy aleatë të rëndësishëm të presidentit. Ky i fundit drejton gjithashtu një organizatë jofitimprurëse në Kaliforni, ku deri vonë punonte Katie Zacharia, e cila është emëruar së fundmi zëdhënëse e Trump.
Trump akuzohet se urdhëroi marrjen nën kontroll të qendrës së arteve dhe më pas lejoi përkeqësimin e gjendjes financiare të saj. Shitjet e biletave dhe donacionet nisën të bien gradualisht pasi Trump u përfshi në drejtimin e institucionit në shkurt të vitit 2025, ndërsa janë ndërprerë plotësisht që kur qendra mbylli dyert në shtator.
Presidenti deklaroi se mbyllja ishte e përkohshme dhe synonte garantimin e sigurisë së ndërtesës. Ai pretendoi se materialet e amortizuara e kishin kthyer atë në “një rrezik të madh” për publikun dhe se nevojiteshin riparime urgjente.
Trump vijon të jetë i përfshirë në një konflikt të ashpër lidhur me qendrën, pasi iu ndalua vendosja e emrit të tij në ndërtesë.
Në dhjetor të vitit 2025, Trump vendosi shkronja bronzi me emrin e tij në fasadën e ndërtesës, e cila ishte krijuar si qendër përkujtimore në nder të John F. Kennedy-t. Në maj të vitit 2026, një gjykatës federal urdhëroi heqjen e shkronjave. Që prej asaj kohe, pjesa e ndërtesës ku ishte vendosur emri i Trump është mbuluar me mushama mbrojtëse.
Më vonë, Trump kërcënoi se do ta shembte plotësisht ndërtesën. Në shtator, ai u fotografua në bordin e avionit presidencial Air Force One, teksa shqyrtonte një poster të madh me titullin: “Qendra Kennedy e SHEMBUR”.
