Princ Leka, trashëgimtari i Fronit Mbretëror, ka shprehur mbështetjen e tij për studentët shqiptarë që protestojnë në ditën e pestë të revoltave, duke bërë thirrje për respektimin e së drejtës për tubim paqësor, hetimin e denoncimeve për dhunë ndaj të rinjve dhe përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit.
Përmes një deklarate, Oborri Mbretëror shprehet se i ka ndjekur me shqetësim raportimet për akte dhune dhe keqtrajtim të studentëve, të rinjve dhe të miturve, si gjatë shoqërimit nga policia, ashtu edhe në ambientet e komisariateve.
Oborri Mbretëror i bën thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm, duke theksuar se detyra e autoriteteve është mbrojtja e qytetarëve dhe jo intimidimi i tyre apo përshkallëzimi i tensioneve përmes përdorimit të tepruar të forcës.
Deklarata
𝐉𝐄𝐌𝐈 𝐍𝐄̀ 𝐊𝐑𝐀𝐇 𝐓𝐄 𝐒𝐓𝐔𝐃𝐄𝐍𝐓𝐄𝐕𝐄 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑𝐄
Oborri Mbretëror qëndron në krah të studentëve shqiptarë në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar.
Kemi ndjekur me kujdes të gjitha aktet e dhunës dhe denoncimet për keqtrajtimin e të rinjve dhe të miturve, si në rrugë, në furgonët e policisë, ashtu edhe në komisariate, dhe ndihemi të shqetësuar për sigurinë e tyre.
Çdo veprim është dokumentuar përmes videove dhe fotografive, ndaj institucionet përkatëse duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë që kushdo që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.
I nxisim studentët t’i bëjnë të njohura shqetësimet e tyre edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke informuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke përcjellë me vërtetësi dhe përgjegjësi atë që shohin dhe përjetojnë në terren. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe realiteti të pasqyrohet me ndershmëri.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm. Autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë apo të përshkallëzojnë tensionet përmes përdorimit të tepruar të forcës. Çdo sjellje e papërshtatshme duhet të bëhet objekt i llogaridhënies.
Protesta paqësore duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi. Dhuna dhe dëmtimi i pronës private janë të papranueshme dhe cenojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë.
Oborri Mbretëror bën thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore. Zëri i të rinjve shqiptarë duhet të dëgjohet dhe e ardhmja e tyre të mbrohet.
View this post on Instagram
