Nga Luçiano Boçi
Berat Buzhala, i revoltuar shumë dhe në përpjekje për të demaskuar gazetarët dhe mediat që, sipas tij, po e braktisin Edi Ramën në çastet e vështira, ka bërë diçka shumë më interesante se lëpirja e zakonshme. Ka përshkruar, ndoshta pa e kuptuar, dramën e madhe të vërtetë të medias shqiptare, duke dashur të konsiderojë dramë përqafimin momental të së vërtetës gazetareske nga disa gojëtarë e media të pushtetit. Një dramë që nuk fillon sot, kur këto gazetarë kanë nisur të kritikojnë Ramën, por pikërisht atëherë kur ata nuk guxonin ta kritikonin.
Buzhala duket i shqetësuar jo aq nga fakti që mediat i kanë shërbyer pushtetit për vite me radhë, sesa nga fakti që disa prej tyre mund të mos i shërbejnë më. Dhe këtu qëndron ironia madhështore e shkrimit të tij. Sipas kësaj logjike të Buzhalës, mëkati i gazetarit nuk është servilizmi ndaj pushtetit, por tradhtia ndaj servilizmit.
O tempora o mores!
Në vend që të pyesë me shqetësimin e gazetarit gazetar, pse mediat shqiptare kanë qenë për kaq gjatë të lidhura me interesat e pushtetit, dhe jo me interesin publik e të vërtetën (misioni real i medias), Buzhala pyet si oborrtar që ha sufllaqen e rradhës, se pse po përpiqen të shkëputen pikërisht tani që pushteti i Ramës po bie. Pra, problemi nuk është zinxhiri. Problemi i medias e gazetarisë sonë, sipas Buzhalës, është këputja e tij!
Ai na tregon për gazetarë që kanë mbajtur mikrofonin e pushtetit, për pronarë që kanë shitur interesat e biznesit si interes publik, për studio televizive që kanë funksionuar si zgjatime të politikës.
Një diagnozë interesante, por që ai e quan normalitet të bukur që s’duhet të tronditet.
Por sapo pacienti shfaq shenja se dëshiron të dalë nga gjendja e tij, diagnostikuesi Buzhala si “doktor” i mediave alarmohet!
Sepse, sipas arsyetimit të Buzhalës, gazetari që dje i shërbente Ramës dhe sot e kritikon nuk po korrigjon një qëndrim të gabuar. Ai po tradhton.
Dhe kështu, pa dashje, zbulohet një filozofi e tërë e marrëdhënies mes pushtetit dhe medias: besnikëria ndaj pushtetarit vlen më shumë se besnikëria ndaj së vërtetës.
Sigurisht, Buzhala ngre midis rreshtave dhe një çështje legjitime, se përgjegjësia e mediave për të kaluarën e tyre nuk zhduket me një emision kritik. As oportunizmi nuk bëhet automatikisht gazetari e pavarur.
Por këtu lind pyetja që shkrimi i tij e lë pezull.
Nëse këto media kanë qenë për vite pjesë e mekanizmit të pushtetit, kush përfitoi nga heshtja e tyre?
Kush e ushqeu këtë marrëdhënie?
Kush e shndërroi gazetarinë në instrument të interesave politike dhe ekonomike?
Dhe mbi të gjitha, pse zemërimi më i madh i “doktorit” të mediave shpërthen tani që disa gazetarë po flasin, dhe jo atëherë kur ata heshtnin?
Edhe më domethënës është shqetësimi për mënyrën se si mediat pasqyrojnë dhunën policore.
Natyrisht, çdo kronikë duhet të tregojë kontekstin e plotë. Dhuna ndaj policisë gazetarisht nuk justifikohet nga e drejta për protestë.
Por po aq e vërtetë është se dhuna e paligjshme policore nuk justifikohet nga sjellja e një protestuesi tjetër.
Në një shtet demokratik, policia nuk gjykohet sipas simpatisë që kemi për qeverinë apo antipatisë që kemi për protestuesit. Ajo gjykohet sipas ligjit, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të forcës.
Dhe gazetaria nuk e ka detyrë të mbrojë reputacionin e pushtetit nga pamjet që e vënë në vështirësi.
Akoma më dramatik është pohimi i vërtetë se në realitetin tonë dy janë mediat opozitare të qeverisë: SYRI dhe NEWS24.
Madje Buzhala nuk pajtohet me këtë realitet sepse për të nuk mund të ketë media kundër qeverisë e që përkrahin të vërtetën.
Në fund, shkrimi i Buzhalës ka një vlerë që po e quajmë të veçantë.
Ai na kujton se deformimi i medias shqiptare nuk është vetëm çështje pronarësh, reklamash, interesash apo lidhjesh politike.
Është edhe çështje mentaliteti.
Mentaliteti që e sheh gazetarin si ushtar të një kampi, ku vetë ai shërben me përkushtim, kritikën si dezertim dhe pavarësinë si tradhti.
Mentaliteti që kërkon llogari për ndryshimin e qëndrimit, por jo për nënshtrimin e mëparshëm.
Berat Buzhala deshi të shkruante për gazetarët që po i kthejnë shpinën Ramës. Por, pa dashje, shkroi për një sistem ku gazetarit e medias i kërkohet të mos ia kthejë kurrë shpinën pushtetit.
Dhe kjo është drama e vërtetë.
Sepse një media që i shërben pushtetit është problem për demokracinë.
Por një mendësi që e konsideron shkëputjen nga pushteti si tradhti është problem edhe më i thellë.
Në fund, pyetja shqetësuese pas këtij “sinqeriteti vetëvrasës”, nuk është pse disa gazetarë po e braktisin Ramën.
Pyetja shqetësuese dramatike është pse dikush si “doktori” i mediave dhe i gazetarëve ndihet kaq i shqetësuar që disa po e braktisin Ramën e pushtetin.
Aferim Berat, që ke shumë fat!
