Deputetja e pavarur dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka komentuar në emisionin “Prime News24” përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Koçeku e cilësoi situatën si një luftë mes dy figurave të së njëjtës forcë politike, duke u shprehur se nuk duhet të ketë ndërhyrje për të shpëtuar asnjërën palë.

“Situata është e qartë, të dy flasin nga burgu, por njëri është brenda dhe tjetri jashtë burgut. Ka një luftë mes tyre dhe mendoj se duhet t’i lëmë të mbysin njëri-tjetrin. Nuk kemi pse shpëtojmë asnjërën palë, por t’i lëmë në këtë rrugëtim që kanë nisur dhe që nuk ka shenja të kthehet pas”, u shpreh ajo.

Sipas Koçekut, përplasjet dhe ndarjet brenda Partisë Socialiste ishin të pritshme dhe zhvillimet e fundit mund të shkaktojnë një efekt zinxhir, duke sjellë skizma të tjera në radhët e kësaj force politike.

“Ishte e pashmangshme që do të kishte skizma të tilla politike. Një e tillë ishte në PS edhe kur u largova unë dhe pritet të ketë një ‘butterfly effect’ në vijim. Kjo që ndodhi pritej dhe besoj se do të zgjasë në kohë. Efektet e asaj që po ndodh do të ndikojnë edhe në krijimin e skizmave të tjera në PS”, deklaroi Koçeku.

Ajo parashikoi se zhvillimet mund të çojnë në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë përfundim edhe me kërkesën e protestuesve.

“Finalja besoj është ajo që po kërkojnë edhe protestuesit, dorëheqjen e kryeministrit Rama. Nuk mendoj se është çështje dëshire, por është e qartë. Rama nuk është politikani që pranon dorëheqjen dhe nuk do të donte të largohej nga posti, por situata do të vijë e tillë sa nuk do të ketë rrugëzgjidhje tjetër”, tha ajo.

Gjatë intervistës, Koçeku foli edhe për vendimin e saj për t’u larguar nga grupi parlamentar i PS-së dhe për të vijuar si deputete e pavarur, duke sqaruar se shkëputja nga anëtarët e grupit ishte një zgjedhje personale.

“Që kur kam vendosur të largohem nga grupi i PS-së dhe të jem deputete e pavarur, ka qenë vendim imi personal që të shkëpus marrëdhëniet me anëtarë të grupit të PS-së. Nuk kam qenë shumë fanse e miqësisë në politikë, sepse nuk besoj fort te ajo, por ka qenë edhe një kohë e shkurtër kur kam qenë pjesë për të krijuar diçka”, u shpreh Koçeku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb