Kërcënime të reja për bomba kanë shkaktuar alarm në Irlandë dhe Britani të Madhe, duke detyruar evakuimin e disa redaksive mediatike mëngjesin e së premtes. Sipas BBC-së, mes mediave të prekura janë transmetuesi publik irlandez RTÉ, gazeta Irish Independent dhe radiostacionet NewstalkFM dhe TodayFM në Dublin.

Alarmi u ngrit pasi redaksitë morën mesazhe kërcënuese me email. Një gazetar i RTÉ njoftoi drejtpërdrejt gjatë një transmetimi radiofonik se në mesazhin e mbërritur thuhej se “një pajisje ndezëse do të shpërthejë brenda 45 minutash”. Pas kërcënimit, punonjësit u larguan përkohësisht nga ndërtesat.

Policia irlandeze, Garda, zhvilloi kontrolle të gjera në ambientet e mediave, me ndihmën edhe të qenve të trajnuar për zbulimin e eksplozivëve. Në një deklaratë, autoritetet thanë se ishin në dijeni të kërcënimeve të drejtuara ndaj mediave në Irlandë dhe në vende të tjera të Evropës, duke konfirmuar se po mbanin kontakte me redaksitë e prekura.

Kryeministri irlandez Michael Martin e cilësoi situatën si “shqetësuese”, duke theksuar se siguria e qytetarëve mbetet përparësia kryesore e qeverisë. Ai vuri në dukje se kërcënimet ndaj mediave vijnë pas një serie alarmesh të rreme për bomba që prekën 21 fluturime në Evropë një ditë më parë.

Martin tha se ende nuk dihet nëse pas këtyre ngjarjeve qëndrojnë individë të veçantë apo një sulm i koordinuar. Megjithatë, autoritetet po i trajtojnë me seriozitet të gjitha kërcënimet.

“Policia, forcat e armatosura, autoritetet e sigurisë kibernetike dhe të aviacionit po punojnë së bashku për të zbuluar se kush qëndron pas kësaj, ashtu si edhe homologët e tyre evropianë”, deklaroi kryeministri.

Edhe zëvendëskryeministri Simon Harris e përshkroi situatën si “shumë serioze dhe të vazhdueshme”. Ai tha se autoritetet ende nuk kanë identifikuar personat përgjegjës për kërcënimet, ndërsa konfirmoi se ekspertët irlandezë të sigurisë kibernetike do të bashkëpunojnë me homologët evropianë për hetimin.

Pas kontrolleve të policisë, nuk u identifikua asnjë pajisje e dyshimtë dhe disa prej punonjësve të mediave u lejuan të rikthehen në zyrat e tyre. Hetimet për identifikimin e autorëve të kërcënimeve vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb