Një surprizë aspak e këndshme ka pritur blerësit e kalendarit të Adventit të kompanisë Skims, në pronësi të Kim Kardashian, i cili kushtonte 148 dollarë, por përmbante kryesisht aksesorë të vegjël si llastikë flokësh, kapëse dhe varëse çelësash.

Videot e klientëve që hapnin një nga një 12 kutitë e kalendarit u bënë virale në rrjetet sociale, duke mbledhur dhjetëra miliona shikime dhe duke shkaktuar reagime të shumta negative. Shumë blerës e cilësuan produktin si zhgënjimin më të madh të sezonit festiv, duke vënë në pikëpyetje vlerën e artikujve në raport me çmimin e paguar. Një prej videove, e publikuar më 5 nëntor, arriti më shumë se 60 milionë shikime. “Kimberly, po fillon të më acarosh vërtet. Kjo është shumë e shtrenjtë”, shprehej një prej klientëve të zhgënjyer.

Në komentet e tyre, përdoruesit ironizuan përmbajtjen e kalendarit, duke pretenduar se artikujt dukeshin si sende të zakonshme që mund të gjendeshin në fund të një çante apo mes sediljeve të makinës. Pas reagimeve të shumta, Skims njoftoi se kishte kontaktuar personalisht të gjithë klientët që kishin blerë produktin, duke u ofruar dy mundësi: rimbursim të plotë ose kredit për të blerë produkte të tjera të kompanisë.

Në një deklaratë për mediat amerikane, kompania pranoi se kalendari nuk i kishte përmbushur pritshmëritë e disa klientëve dhe theksoi se reagimet e tyre do të merren parasysh në lançimet e ardhshme. Pavarësisht polemikave, kalendari rezulton i shitur në faqen zyrtare të Skims, ku të interesuarit mund të regjistrohen në listën e pritjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: