Njihet si reklamues i orëve të shtrenjta, ka pasur histori dashurie me modelen ruse Isabel, dhe adhuron kafshët. Valmir Hajzeri është 27-vjeçari nga Prishtina, 1.82 m i gjatë dhe që peshon 84 kg, kështu ka parametrat ideale për të qenë djali i kërkuar nga kompanitë e modës. Pasi ka pozuar për revistën “Playboy”-n të Holandës, vendi ku ka bërë karrierë për shumë vite, tani është kthyer për pak kohë në Kosovë.
E me pamjen që ka nuk mund të mos binte në sy të kompanisë “Entermedia”, që e përzgjodhi si djalin dominant në klipin “Nuk ma la”, duke sfiduar si mashkull Flori Mumajesin dhe Ledri Vulën.

Si ishte eksperienca jote në klipin “Nuk ma la” të Flori Mumajesit dhe Ledri Vulës?
Ishte ndjesi e mirë të punoja me artistë të mëdhenj, siç janë Ledri dhe Flori, pasi gjithnjë sjellin diçka të mirë e aktuale për publikun. Më habiti thjeshtësia e artistëve dhe fakti që ishin shumë të komunikueshëm duke i bërë xhirimet me shumë qejf. U bëra pjesë e klipit falë ftesës së “Entermedia Group”. Normal që duke pasur parasysh punën e tyre, nuk hezitova fare.
Roli yt si mashkull në klip ishte i privilegjuar, pasi t’i kishe femrën që nuk ua la atyre, nëse do flasim me gjuhën e tekstit?
Po unë isha i dashuri i vajzës që s’ia la Florit dhe Ledrit. Është e deshifrueshme fabula e këngës, pasi ajo ishte me mua në dhomë në fillim të klipit. Dhe gjithçka nis kur Flori del nga dollapi duke kënduar…
Cilat janë njohjet që ke me artistët shqiptarë, dhe me cilët prej tyre ke bashkëpunuar deri tani?
Nga artistët shqiptarë njoh disa emra të mëdhenj, me të cilët më ka rastisur të takohem në evente. Bashkëpunime nuk është se kam pasur, ngaqë videoklipet s’ishin diçka që doja të jem shumë aktiv, pavarësisht disa ofertave.
Nga puna me artistët çfarë të çudit më shumë nga jeta që ata bëjnë?
Jeta që bëjnë nuk është diçka që do e komentoja ngaqë nuk është se merrem shumë me jetën e tjetrit. Ajo çfarë më çudit është hapësira dhe koha që u kushtohet njerëzve, të cilët artin provojnë t’ia mbivendosin jetës së tyre me forcë.
Një model si ti, çfarë përfitimesh ka në jetë?
Një model në ditët e sotme nuk është se gëzon privilegje siç mund të mendohet, edhe pse je një ndër emrat e ftesave nëpër evente të ndryshme, galave, mbrëmjeve speciale, etj. Fakti që je fytyrë publike mund të jetë një ndër to, apo edhe fakti që prezanton para publikut, stilet e fundit të veshjeve, e rrjedhimisht njihesh për stil dhe shije. Por ka edhe disavantazhe.
Nga eksperienca personale, çfarë duhet të zotërosh që të biesh në sy të stilistëve?
Origjinalitet, karizëm dhe tip që bie në sy.
Por duhet të mbash dhe trupin në formë. Çfarë bën ti për të mbetur njësoj gjithmonë?
Në botën e modës është esenciale që të kesh fizik të mirë. Unë provoj të jem sa më aktiv me vrap e palestër. Dhe normale dieta, që është më e rëndësishmja.
Dimë që ke pozuar për “Playboy”-n e Hollandës. Si është të punosh me orë të zgjatura për të realizuar një set fotosh nudo?
Nuk është se ishte total nudo, por mund të hyjë në atë kategori. Kisha një shoot me sloganin “Sex is not sin”, ku isha përkrah një modeleje shumë të njohur. Seti tjetër titullohej “I dont need clothes, just my Bvlgari watch” për Bulgarin, përkrah Ledonës, modeles hollandeze që ka 5 vite nën përfaqësimin e “Elite models”.
Me cilët stilistë të njohur ke punuar në këto vite karrierë?
Stilistë mund të përmend Irma Birka, një ndër emrat më të njohur në Paris dhe në botë, e cila punon për “Vogue” dhe “Vanity Fair” të Francës. Të tjerë stilistë me të cilat kam punuar janë Richard Schrifel, Monike Heist, Dekkers, Bal, etj.
Një model ka mundësi të bjerë në depresion për shkak të kushteve të punës?
Depresioni në jetën e modelëve është shumë prezent. Madje mund të them se është e vërtetuar shkencërisht se modelët janë njerëzit më kompleksivë. Kjo ndodh ngaqë përfaqësojnë origjinalitet dhe se dukja fizike është ajo që u sjell punën. Kështu që me kalimin e viteve dukja mund të kthehet në një makth të vërtetë.
Të ndodh të jesh më shumë i shigjetuar nga vajzat apo dhe nga djemtë? Si reagon për secilin rast?
Ngacmimet nuk është se janë të shumta, dhe nuk është se reagoj ndaj tyre në ndonjë mënyrë të caktuar.
Je i dashuruar dhe çfarë të tërheq tek një vajzë?
I dashuruar… hmm. Tek një femër më tërheq thjeshtësia, stili, buzëqeshja.
Ke pasur ndonjë histori me ndonjë modele të njohur?
Kam pasur disa histori me vajza VIP, po nuk është se do të preferoja të them emra. Mund të përmend Isabel, një modele bionde ruse që punonte për “Elite Woman” në Paris, me të cilën kam realizuar një set sensual fotosh.
Je adhurues i dikujt apo diçkaje në jetë?
Jam adhurues shumë i madh i kafshëve, e sidomos i qenve. Madje para disa viteve lashë punën për t’u bërë vullnetar full time në një grupim për të drejtat e kafshëve.
Jashtë modës, cili është formimi yt?
Unë kam studiuar për psikologji dhe art. Pas diplomimit isha shumë aktiv me kurse e seminare ku u trajnova për punën që bëj tani si financial advisor. Po ashtu, jam specializuar për human rights, për shkak edhe të backround-it në psikologji.

Historia e Valmir Hajzerit, një fotograf holandez e zgjodhi në rrugët e Prishtinës
Valmir Hajzeri ka lindur më 18 Tetor të vitit 1988. Ai rrëfen për revistën “Story” se kur ishte fëmijë nuk është se ëndërronte për një karrierë në modeling. Gjithçka ndodhi rastësisht, pasi u zbulua nga një fotograf holandez me karrierë në Paris, tek po ecte rrugës në Prishtinë. Ishte koha e reklamave të Kosovës si shtet i ri, ndaj kishte shumë fotografë në Kosovë. Setin e parë fotografik e realizoi në moshën 18 vjeçare nga fotografi që e pikasi, dhe brenda 3 javësh mori ofertë nga tre agjenci mode, dy në Paris dhe një në Amsterdam. Brenda muajit takoi përfaqësuesit e këtyre agjensive dhe kështu nisi karriera e tij me bashkëpunimet e para me “Rock man” në Paris, dhe “Name models” në Amsterdam. Bazat i vendosi në Amsterdam, mbase ngaqë ndiente një lloj dashurie për këtë qytet dhe kulturën hollandeze. Më pas lidhi një kontratë edhe me “Fashion man” në Milano, qyteti ku punoi po ashtu si model. Gjatë katër viteve në vazhdim punoi me shumë emra të mëdhenj dhe revista të njohura të modës, si: Vogue China, West East Man, Link Magazine, etj. Ai tregon se ka punuar me një ndër stilistët më me emër në botë që vazhdon ende veprimtarinë me “Vogue” e “Vanity Fair”, i cili është Richard Schrifel, stilist i “Vogue Holland”. Po ashtu, ai ka pozuar për “Playboy” të Hollandës e “Amsterdam fashion Week”. Nga markat e njohura, Hajzeri tregon se ka pasur fatin të pozonte për “Denim jeans”, “Jan Paul Guiltier”, “Bvlgari Watch”, etj. Aktualisht ndodhet në Prishtinë për ca kohë, dhe herë pas here është aktiv në agjencinë “B models”.(story)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb