Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë aktivitetit të organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përmes një reagimi publik, Haxhiu e ka cilësuar shqetësues interpretimin e kësaj melodie, duke theksuar se ajo promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.

“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se një aktivitet që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian duhet të përcjellë mesazhe në përputhje me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar gjithashtu një sqarim nga Komisioni Evropian për përzgjedhjen e kësaj kënge.

“Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme. Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, lidhur me këtë polemikë ka reaguar edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila ka shprehur keqardhje për interpretimin e këngës.

Kos ia ka atribuar përgjegjësinë për përzgjedhjen muzikantëve, duke theksuar se kënga nuk përfaqëson në asnjë mënyrë qëndrimin e Komisionit Evropian apo pozicionin e saj personal lidhur me historinë e Kosovës.

Rasti ka shkaktuar reagime në Kosovë dhe në nivel evropian, pasi interpretimi i këngës “Oj Kosovo, Kosovo” u bë gjatë një aktiviteti të lidhur me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb