Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të ndalojë kompanitë amerikane të teknologjisë të ndërtojnë qendra të të dhënave për inteligjencën artificiale jashtë territorit të SHBA-ve. Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se administrata e tij synon të mbajë investimet strategjike në këtë sektor brenda vendit, duke paralajmëruar edhe vendosjen e taksave të shumta për kompanitë që do të zgjedhin të ndërtojnë infrastruktura të tilla jashtë Amerikës.

“Ne do t’i mbajmë të gjitha në këtë vend”, u shpreh Trump për gazetarët, pas kthimit nga vizita e tij në Azi. Ai theksoi se nuk do të lejojë që kompanitë amerikane të investojnë në qendra të të dhënave jashtë SHBA-ve, duke argumentuar se kjo do t’i jepte Kinës mundësinë të përfitonte nga zhvillimi i teknologjisë amerikane.

“Ne nuk do t’i lejojmë kompanitë tona të ndërtojnë qendra të të dhënave jashtë vendit tonë. Sepse Kina do që t’i marrë të gjitha dhe ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, deklaroi presidenti amerikan.

Presidenti amerikan e lidhi nismën me garën globale për inteligjencën artificiale, duke nënvizuar se SHBA-të duhet të ruajnë epërsinë në këtë fushë dhe të mos lejojë që Kina ta tejkalojë. Ai iu referua inteligjencës artificiale si një teknologji që po shndërrohet në një prej sektorëve më strategjikë të konkurrencës mes fuqive të mëdha.

Deklarata vjen pak ditë pasi Uashingtoni njoftoi masa të reja për kontrollin e eksportit të çipave kompjuterikë të avancuar. Sipas rregullave të reja, kompanitë do të kenë nevojë për licencë për të blerë çipa të fuqishëm, në mënyrë që autoritetet amerikane të monitorojnë përdorimin e tyre dhe të parandalojnë përfundimin e tyre në duart e kompanive kineze apo kontrabandimin drejt Kinës.

Qendrat e të dhënave janë infrastruktura kryesore mbi të cilën mbështetet zhvillimi i inteligjencës artificiale. Ato përbëhen nga komplekse të mëdha që strehojnë serverë dhe çipa të avancuar, të nevojshëm për funksionimin e programeve të inteligjencës artificiale, si ChatGPT dhe Claude.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 3 mijë qendra të të dhënave, ndërsa 1,500 të tjera ndodhen në faza të ndryshme miratimi ose ndërtimi, sipas të dhënave të Peu Research Center. Trump u bëri thirrje komuniteteve lokale që të përfitojnë nga këto investime, duke theksuar se ato mund të sjellin të ardhura dhe zhvillim ekonomik për zonat ku ndërtohen.

“Duhet të përfitoni nga qendrat e të dhënave. Kërkojuni të paguajnë, të kontribuojnë për komunitetin tuaj, por shfrytëzojini këto mundësi dhe mos i refuzoni”, u shpreh ai.

Ndërkohë, kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë kanë nisur prej kohësh investime të konsiderueshme edhe jashtë SHBA-ve. Meta ka nisur ndërtimin e një qendre të të dhënave në provincën e Albertës në Kanada, ndërsa kompania Anthropic ka nënshkruar një marrëveshje afatgjatë për marrjen me qira të një qendre të planifikuar në Nova Scotia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: