VLORE- Brenda këtij viti Shqipëria do të ketë një ligj të ri për strehimin social, i cili parashikon mes të tjerash dyfishimin e programeve të strehimit dhe zgjerimin e kategorive përfituese prej tyre.

Ministria e Zhvillimit Urban ka gati draftin e projektligjit të ri “Për programet sociale të strehimit”, i hartuar nën asistencën teknike të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD).

Procesi i hartimit të draftit ka qenë transparent dhe gjithëpërfshirës, pasi për të janë marrë mendime dhe janë konsultuar pothuajse të gjithë grupet e interesit. Ndërsa këtë të premte nisi konsultimet publike për projektligjin. Takimi i parë u zhvillua në qytetin e Vlorës ku e pranishme ishte edhe ministrja Eglantina Gjermeni.

“Janë rreth 35 mijë të pastrehë në Shqipëri sipas statistikave që ne kemi, por sigurisht, që kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe, ndaj dhe ne i kemi kërkuar të gjitha bashkive që të fillojnë një proces real për regjistrimin e të pastrehëve”, tha Gjermeni.

Ndaj shtoi ajo, synimi kryesor në procesin e rishikimit të ligjit, është dhe garantimi i sa më shumë kategorive të shtresave në nevojë si përfitues nga programet e strehimit. Ajo apeloikryetarët e bashkive në vend që të aplikojnë në programet për strehimin social dhe t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë strehimit në bashkitë respektive.

Njëkohësisht ministrja Gjermeni tërhoqi vëmendjen që të mos ketë vonesa nga Këshillat Bashkiakë në miratimin e listës së familjeve përfituese, të cilat plotësojnë kriteret si për bonusin e strehimit, banesat me kosto të ulët, ato me parametra të eficiencës së energjisë apo edhe rikonstruksionin e banesave të komunitetit rom dhe egjyptian.

Në këto tre vite, 2014 – 2016 buxheti i Ministrisë i alokuar për strehimin ka pësuar një rritje progresive. Në këto dy vite, 267 milionë lekë janë investuar për rikonstruksionin e 447 shtëpive të komunitetit rom dhe egjyptian, në 15 bashki të vendit. 2070 qytetarë të këtij komuniteti kanë përfituar direkt nga investimet e kryera dhe rreth 3000 qytetarë si përfitues indirekt përmes ndërhyrjeve në sistemin e ujësjellës kanalizimeve.

Ndërkohë, për rikonstruksionin e godinave ekzistuese me parametrat e efiçiencës së energjisë, për tre vitet buxhetore 2014 – 2016, Ministria e Zhvillimit Urban ka investuar në total rreth 63 milionë lekë për rikonstruksionin e 9 godinave ekzistuese në 9 bashki, ku 208 familje, të cilat sot falë zbatimit të këtyre projekteve, paguajnë 50% më pak në faturat e tyre të energjisë.

Pas Vlorës, konsultimet publike për projektligjin “Për programet sociale të strehimit” do të vijojnë në Pogradec më 16 shtator, në Lezhë me 20 shtator për të përfunduar në Tiranë më 23 shtator.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb