KRUJË- 21-vjeçari Edison Pula është arratisur sot nga Stacioni i Policisë së Fushë- Krujës rreth 7 orë pas arrestimit në një super operacion të Policisë së Durrësit ku u arrestuan edhe 8 persona të tjerë.

Burime konfidenciale nga Komisariati i Krujës thanë për BalkanWeb se 21-vjeçari ka dhunuar me grushte e sende të forta policët. “I arrestuari ka dhunuar me grushte e shkelma e sende të forta policët e togës së shoqërimit dhe më pas është arratisur. Vendi ishte i lyer me gjak”, pohuan burimet.

Policia ka ngritur postblloqe në të gjithë zonën për arrestimin e tij. Mësohet se 10 grupe të FNSH-ve kanë rrethuar Krujën, Fushë-Krujën si dhe akset që lidhen me Niklën. Po kështu po kryhet kontroll nëpër banesa

Edison Pula, 21 vjeç, banues në Krujë, sipas policisë është i dyshuar për veprat penale “Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve dhe municioneve luftarake”.

Pula u arrestuar sot mes 9 persona në lidhje me atentatin me tritol të ndodhur në muajin shtator ndaj Gentjan Bejtjas. Ndalimet u bënë në kuadër të operacionit të koduar “Shënjestra”, ndërsa policia thotë se bëhet fjalë për një grup të strukturuar dhe të rrezikshëm, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin jo vetëm kanë tentuar të vrasin me eksploziv Gentian Bejtën, në fshatin Larushk të Krujës, por akuzohen edhe për një sërë veprash të tjera penale si shkatërrim prone me eksploziv, vrasje të mbetura në tentativë, shitje e trafik droge, etj.

Ngjarja për të cilën u arrestuan ka ndodhur në Nikël të Krujës dhe si pasojë e vendosjes së eksplozivit në makinë, Bejtja u plagos në këmbë. 35-vjeçari është person me precedentë penalë dhe njihet si mik me Durim Bamin si dhe në vitin 2013 u arrestua së bashku me Enver Stafukën sepse dyshohej se kishte vjedhur mjetin i cili u përdor në atentatin kundër komisarit Dritan Lamaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: