TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me darkën mes dy aleatëve të qeverisë, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta për të vendosur mbi ‘fatin’ e koalicionit. Nga ‘çadra e lirisë’ Basha mbajti po të njëjtën linjë me demokratët e tjerë, ndërsa ironizoi duke shtuar se ‘komentet për marakatën e peshkut merrini tek tregtarët e peshkut. Peshku është qelbur nga koka me kohë’.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/balkanwebCOM/videos/1302211159827838/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

Pavarësisht takimit që zhvilloi ditën e sotme me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu dhe paraardhësin e tij Aleksandër Arvizu, duket se kreu i PD-së është i vendosur me qëndrimin e tij; largimin e Ramës dhe krijimin e qeverisë teknike. Lideri i opozitës sulmoi kryeministrin Edi Rama se flet për vende të reja pune në një kohë që 200 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi.

“Në këtë shesh konfirmojmë vendimin e marrë më 18 shkurt. Por çdo ditë është e rëndësishme dhe e domosdoshme të kujtojmë arsyet e thella që e sollën Shqipërinë këtu. Arsyet e vërteta të këtij vendimi të paprecedent. Sot nga ky shesh, qytetarë të ndryshëm kanë folur për hallet. Secili gjen veten e vet tek disa nga problemet. Për pyetjet më thelbësore, më esenciale, marrim të njëjtën përgjigje. A keni sot fuqi blerëse më të lartë? A e paguani energjinë elektrike më lirë? A e paguani faturën më të vogël të ujit? (‘Jo’ brohorasin protestuesit) Jo? Mendohuni mirë. (‘Mashtron’ bërtasin protestuesit) A thua mashtron? 200 vende të reja pune çdo ditë që kur kanë marrë pushtetin, këtë po u thotë shqiptarëve (Rama) 200 mijë shqiptarë të larguar nga shtëpitë e tyre janë 200 mijë tragjedi, drama. Emigracioni, largimi i shqiptarëve, rënia e fuqisë blerëse janë drama e përditshme, në Durës, Shkodër, Korçë, e anë e mbarë Shqipërinë. Edhe të djathtë edhe të majtë po trajtohen njësoj nga kjo qeveri. Të gjithë po humbin nga çeta e Ramës, e zhytur në krimin. E vërtetë është që kanë bërë shumë në këto 4 vite, kanë mbyllur shumë biznese, 27 mijë, kanë rritur energjinë. Sot rrezikojmë rikthimin e vizave për shqiptarëve, pasi jemi kthyer si ‘dele e zezë’ për Europën. “Jemi bërë shumë, do humbasim”, ironizon Ramën.

Do humbasim ministrat e korruptuar me në krye kryeministrin që është akuzuar se disponon qindra milionë euro që ka në bankë. Këta do të humbasin, pasi paratë do tu kthehen qytetarëve shqiptarë. Jam dakord me Edi Ramën: ‘Do të humbasësh shumë, do humbasësh gjithçka në Republikën e Re’. Republika e vjetër është sot banka e krimit që prodhon qindra milionë euro për Ramën, për një grusht oligarkësh. Me këto para paguajnë lobingje të pista, dhe blihet fjala e tyre në Europë. Sepse mos harroni, mos harroni, kjo është një qeveri e krimit. E vetmja garanci për këtë fitore epike, për gjithë qytetarët shqiptarë është bashkimi dhe qëndresa jonë deri në fitore. Unë garantoj sot përsëri çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, me zotimin se këtë betejë nuk e kam për veten, për karrigen time, as për PD, por për fatin e çdo shqiptari të ndershëm.”, tha Basha.

Po ashtu Basha pohoi se PD nuk tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas standardeve të BE-së.

“Ndaj, çdo ditë që kalon jam dhe jemi më të vendosur se çdo ditë që lamë pas se nga kjo betejë nuk tërhiqem pa i shkuar këtij vendimi; zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është fillimi që do të ndërtojë republikën e qytetarëve dhe jo politikanëve. Ky është fillimi i një luftë për brezat që do vijnë dhe kjo betejë do vendoset jo nga kompromisi, por nga standardi europian për zgjedhjet shqiptare. Asnjë vend pune s’ka për tu hapur, asnjë shërbim nuk do përmirësohet, as pensionet dhe rrogat nuk do ngrihen sa kohë që krimi dikton politikën”, përfundoi fjalën e tij Basha në ditën e 45 të protestës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: